
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur 2 prillin si “Dita e Çlirimit” për SHBA-në, datë kur administrata e tij do të shpallë tarifat hakmarrëse ndaj vendeve të tjera, përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian. Lajmi ka alarmuar veçanërisht Gjermaninë, e cila ndodhet ende në krizë ekonomike pas një stanjacioni dyvjeçar.
Komisioni Evropian është në pritje të listës së masave që pritet të shpallen nga Uashingtoni. Nëse konfirmohen tarifat për importet e automjeteve, ato do të godasin drejtpërdrejt industrinë më të fuqishme të BE-së. Masat e mëparshme të Trump, si vendosja e tarifave 25% për çelikun dhe aluminin, tashmë kanë shkaktuar reagime nga Brukseli.
Burime nga BE pohojnë se tarifat do të aplikohen në mënyrë horizontale, me një normë të vetme për të gjitha eksportet e vendeve anëtare. Spekulimet flasin për një rritje nga 5 në 10 pikë përqindjeje, por Trump ka lënë të kuptohet se masa finale mund të jetë “më e butë se sa pritej”.
Pavarësisht kësaj, Brukseli është gati për kundërmasa dhe ka paralajmëruar një përgjigje të menjëhershme dhe proporcionale. Një përplasje e re tregtare mes dy blloqeve më të mëdha ekonomike të botës është në horizont.
Europa përgatitet për një përballje ekonomike me SHBA-në, ndërsa tregtia transatlantike rrezikon të hyjë në një cikël hakmarrjesh që mund të dëmtojë miliona vende pune dhe sektorë kyç të eksportit.