
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Sali Berisha ka zgjedhur të mos e udhëheqë drejtpërdrejt fushatën elektorale të Aleancës “Shqipëria Madhështore”, duke i lënë drejtimin një bërthame të ngushtë koordinatorësh dhe drejtuesish qarku.
Burime nga opozita bëjnë të ditur se Berisha do të jetë i pranishëm vetëm në 12 mitingjet zyrtare që do të zhvillohen në qendrat e qarqeve, ndërsa pjesën tjetër të kohës do t’ia kushtojë takimeve me diasporën dhe kontaktet ndërkombëtare.
Shtabi qendror elektoral i ngritur në selinë e PD-së drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, dhe përfshin figura si Albana Vokshi, Besart Xhaferri, Edi Paloka dhe aleatë nga koalicioni, si Fatmir Mediu, Tedi Blushi, Erisa Xhixho dhe Vangjel Dule. Ky shtab do të koordinojë takimet, do të trajtojë problematikat e terrenit dhe do të përçojë mesazhet që do të përpunohen në bashkëpunim me ekipin amerikan të Chris LaCivita.
Në veçanti, Tirana, me 37 mandate deputetësh, ka një organizim të posaçëm. Drejtuesi politik Belind Këlliçi është në qendër të koordinimit, bashkë me një grup të ngushtë përgjegjësish zonalë, që do të ndjekin si kandidatët e listës së hapur ashtu edhe të mbyllur.
Roli i ekipit amerikan të Chris LaCivita pritet të jetë vendimtar, jo vetëm në strategjinë e komunikimit dhe përballjen me kundërshtarët politikë, por edhe në përgatitjen për denoncimin e çdo deformimi të votës, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndërkohë, në kampin tjetër, Edi Rama kërkon mandatin e katërt radhazi, një precedent i padëgjuar në pluralizmin shqiptar. Në këtë kontekst, beteja e 11 majit shihet si më shumë se zgjedhje – është një përballje vendimtare për pushtet dhe legjitimitet politik.