Përplasje masive në autostradën Fier–Vlorë: 9 makina të aksidentuara, 3 të plagosur

0

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite në autostradën Fier–Vlorë, pranë kthesës së Pojanit, ku nëntë automjete janë përfshirë në dy përplasje të njëpasnjëshme. Sipas informacioneve paraprake, shtatë makina u përplasën fillimisht në drejtim të Vlorës, ndërsa dy automjete të tjera u përfshinë në një incident të dytë në të njëjtin vend pas aksidentit të parë.

Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së fortë dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor. Ende nuk ka informacion mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Policia ndodhet në vendngjarje, duke hetuar shkaqet e aksidentit dhe duke punuar për të rikthyer normalitetin në qarkullimin rrugor në zonë. Dyshohet se shkak mund të jetë bërë shpejtësia apo mungesa e distancës së sigurisë, por hetimet janë në vijim.

Ngjarja ka shkaktuar kaos të përkohshëm në trafik, duke ndikuar ndjeshëm në lëvizjen drejt bregdetit jugor. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në këtë segment veçanërisht të frekuentuar gjatë fundjavave.


Artikulli i mëparshëmBrukseli mbështet ndryshimin e Melonit për qendrat e migrantëve në Shqipëri
Artikulli i radhësTragjedi në Dibër: Humb jetën 31-vjeçari pasi ra në kontakt me rrymën elektrike