
Ndërkohë që Altin Hajri, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shijak, është në kërkim nga SPAK për përfshirje në disa ngjarje kriminale, përfshirë rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës, bashkëshortja e tij, Valentina Hajri, ka marrë leje ndërtimi për një pallat 18-katësh në zemër të Durrësit. Kjo është një tjetër provë se si struktura të lidhura me krimin jo vetëm që nuk penalizohen, por zhvillojnë biznese dhe përfitojnë nga strukturat shtetërore në mënyrë të ligjshme dhe publike.
Sipas dokumenteve të publikuara fillimisht nga VoxNews, leja është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 26 mars 2025, një institucion që drejtohet direkt nga Kryeministri, ose në mungesë të tij, nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Firma “Pjeza 2022”, që zotërohet 100% nga Valentina Hajri, është regjistruar më 19 tetor 2022 dhe kishte një aktivitet të gjerë nga piceri dhe restorant, deri te ndërtimi dhe tregtia e mallrave industriale. Ajo deklaron një fitim prej rreth 480 mijë euro për vitin 2023, megjithëse në janar 2025 ka pezulluar aktivitetin me një vendim të beftë, pa dhënë arsye.

Por vendimi i KKT-së për të dhënë një leje ndërtimi të tillë luksoze ndërkohë që bashkëshorti i pronarës është në kërkim nga SPAK, nuk është vetëm absurd – është një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si funksionon shteti shqiptar.
A është shteti palë me të kërkuarit?
Pyetja që shtrohet natyrshëm është: Si mund të ndodhë që një kompani që deklaron pezullim të aktivitetit të marrë leje ndërtimi për një pallat 18-katësh? A ka bërë kontroll KKT për burimin e të ardhurave të kësaj kompanie? A janë kryer verifikime për lidhjet e saj me një të shumëkërkuar nga drejtësia? Apo thjesht, një telefonatë politike është më e fortë se çdo sinjal i kuq nga drejtësia?
Ndërsa qytetarët vuajnë për një leje ndërtimi, një certifikatë pronësie apo një licencë biznesi, persona të lidhur me krimin ndërtojnë qiellgërvishtës legalisht në një nga qytetet më të mëdha të vendit.

Shteti që lejon “përfaqësuesit e nëndheshëm” të ndërtojnë mbi tokë
Nëse SPAK ka në kërkim një individ për krime të rënda dhe institucionet shqiptare u japin familjarëve të tij leje për ndërtime milionëshe, atëherë kjo nuk është më thjesht një çështje abuzimi. Është një model qeverisës që e ka bërë krimin pjesë të arkitekturës ligjore dhe ekonomike të vendit.
Në këtë rast, nuk është vetëm Altin Hajri që duhet të japë llogari. Tani është radha e shtetit që të shpjegojë: Kush e firmosi këtë leje? A e dinin se kujt i përkiste kompania? Dhe më e rëndësishmja: pse askush nuk e ndali këtë?/VoxNews