Inskenoi vdekjen për t’i shpëtuar borxheve: Davide Pecorelli do të ekstradohet në Shqipëri

0

Davide Pecorelli, biznesmeni italian që tronditi opinionin publik me historinë e tij të inskenuar të vdekjes në Pukë, do të ekstradohet së shpejti në Shqipëri për të vuajtur një dënim me 4 vite burg. Vendimi për ekstradimin u firmos nga ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit në Perugia në majin e kaluar.

Pecorelli kishte inskenuar zhdukjen dhe vdekjen e tij në janar 2021, kur u gjet një makinë e djegur me mbetje skeletore në brendësi në zonën e Pukës. Gjatë hetimeve, doli se ai ishte gjallë dhe ndodhej në Vlorë, ku kishte krijuar një identitet të ri si “Kristiano”, shkrimtar në kërkim të një thesari dhe i frymëzuar nga “Konti i Monte Kristos”.

Në prill 2024, Gjykata e Shkodrës e shpalli fajtor për mashtrim, zjarrvënie dhe shpifje, duke e dënuar me 4 vite burg. Ai do të merret në paraburgim nga policia shqiptare dhe brenda 48 orëve do të vendoset nëse do të aplikohet një masë alternative, në pritje të apelimit të dënimit.

Në një deklaratë për mediat italiane, Pecorelli tha:
“Vendimi i ministrit më befasoi. Jam i shqetësuar për familjen time, por nuk do të apeloj. Preferoj të shkoj në Shqipëri.”

Ngjarja mbetet një nga historitë më të veçanta të mashtrimit ndërkombëtar, që përfshiu autoritetet shqiptare dhe italiane për muaj me radhë, duke u kthyer në një kronikë që tërhoqi vëmendjen e mediave europiane.


Artikulli i mëparshëmTragjedi në Dibër: Humb jetën 31-vjeçari pasi ra në kontakt me rrymën elektrike
Artikulli i radhësSKANDALI që duhet të “djegë” Anila Denaj/ AKU nuk gjen mishin e pulës me salmonelë në tregje, nis hetimi penal