
Pavarësisht alarmeve për 2.6 ton mish pule të kontaminuar me salmonelë që përfundoi në tregjet shqiptare, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka arritur të gjejë asnjë gram të produktit nëpër njësitë tregtare. Prej datës 21 mars, kur ISUV konfirmoi praninë e salmonelës në një ngarkesë prej 7.8 ton fileto pule të importuar nga Brazili, AKU ndërmori kontrolle në 10 qarqe të vendit.
AKU njoftoi se në të gjitha njësitë janë vendosur njoftime për konsumatorët që të shmangin konsumimin e këtij produkti, nëse e kanë blerë. Por përkundër përpjekjeve, mishi i kontaminuar nuk është lokalizuar.
Skandali thellohet me fatura fiktive
Problemi është thelluar nga fakti se kompania importuese ka paraqitur fatura fiktive, duke pamundësuar gjurmimin e saktë të mishit të kontaminuar. Si pasojë, administratori i kompanisë është shpallur në kërkim, ndërsa në hetim janë vënë edhe vëllai i tij dhe tre inspektorë të AKU-së, të cilët dyshohen për mosveprim dhe vonesë në analizat laboratorike që zgjatën 10 ditë, në vend të 3-4 ditëve të zakonshme.
Rrezik për shëndetin publik
Sipas ekspertëve, mishi i kontaminuar me salmonelë përbën rrezik të madh për shëndetin, duke shkaktuar diarre të rëndë, ethe dhe dehidrim, simptoma që shfaqen 8-72 orë pas konsumimit. Vetëm gatimi në temperatura mbi 70°C mund të neutralizojë bakterin.