Rama ironizon opozitën dhe strategun amerikan: “Turistët që marrin para dhe nuk dihet si”

0

Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone ironike ndaj opozitës dhe veçanërisht ndaj strategut amerikan të Partisë Demokratike, Chris LaCivita, gjatë një komunikimi me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy”. Rama e cilësoi LaCivitën si “një turist që do të marrë para” dhe vuri në pikëpyetje burimin e fondeve për një figurë të tillë politike.

“Po na vjen dhe sherifi. Turistë janë të gjithë të mirëpritur të vijnë, por këta që marrin shumë para dhe s’i i marrin është një pyetje më vete,” – tha ai, duke shtuar se 11 maji do të tregojë gjithçka në mënyrë të qartë.

Për BE-në dhe zgjedhjet: “Duhet shumicë domethënëse”

Rama theksoi se fushata e tij synon jo vetëm të fitojë votën e shqiptarëve, por të japë një mesazh të fortë për Brukselin se Shqipëria është e gatshme për anëtarësim në BE. Ai kërkoi një shumicë të gjerë që t’i japë legjitimitet kësaj rruge.

“Ne kemi një program që po anëtarëson Shqipërinë në BE, dhe kjo është pasaporta europiane që duam t’u japim qytetarëve,” u shpreh Rama.

Për emigrantët dhe votën e diasporës

Ai falënderoi emigrantët shqiptarë në Greqi për mikpritjen, duke përmendur edhe takimet në Athinë dhe Kretë. Sipas tij, shumë emigrantë kanë premtuar se do të kthehen në Shqipëri për të votuar më 11 maj.

Rikthimi te bufi i kënetës: Kritika për opozitën dhe media të caktuara

Kryeministri e përdori sërish metaforën e “bufit të kënetës” për të kritikuar opozitën dhe disa media që sipas tij prodhojnë teori të pabaza dhe nuk kontribuojnë realisht në jetën demokratike.

Për fushatën e FRPD-së: “Nuk janë bërë socialistë”

Ai foli për disa ish-anëtarë të Forumit Rinor të PD-së që kanë vendosur ta mbështesin në zgjedhjet e 11 majit, pa u bërë pjesë e PS-së. Rama i përshkroi si të rinj të respektuar dhe me mesazhe të qarta pro-anëtarësimit në BE.

Për kritikat: “Faktet flasin vetë”

Në përgjigje të akuzave për mashtrime dhe varfëri, Rama renditi projekte infrastrukturore, fabrika të reja dhe rritje të të ardhurave për frymë.

“Nga 3,324 euro kur morëm detyrën, sot të ardhurat për frymë janë 10,042 euro. Në vitin 2030 do të jenë 15,000 euro,” tha ai.

Për Iftarin dhe varfërinë: “Tryeza e iftarit është për të gjithë”

Ai sqaroi se aktivitetet me qytetarët në kuadër të Ramazanit kanë vlerë simbolike dhe se ndihma për familjet në nevojë bëhet në mënyrë diskrete, pa kamera.


Artikulli i mëparshëmAltin Hajri në kërkim nga SPAK, gruaja ndërton pallat 18-katësh në Durrës: Një tjetër provë e kapjes së shtetit
Artikulli i radhësSHBA nën presion pas vrasjes së mjekëve në Gaza: “Ligji është një për të gjithë”