
Ekspertët zbulojnë si u gjurmuan në kohë rekord dy “hajdutët” e dosjeve sekrete
Një sulm kibernetik që kishte për objektiv dosjet sensitive të prokurorëve të SPAK-ut rezultoi një dështim spektakolar për autorët, ndërsa për hetuesit shqiptarë e ndërkombëtarë ishte një rast i shkëlqyer për të demonstruar forcën e mbrojtjes dixhitale.
Eksperti i IT-së Besmir Semanaj, në një intervistë për Euronews Albania, zbuloi detajet teknike që çuan në identifikimin dhe arrestimin e dy hakerëve, të cilët rezultuan me njohuri të cekëta teknologjike dhe pa aftësi për të mbuluar gjurmët.
Gabimi fatal? Adresa IP dhe hyrja e paautorizuar!
Sipas Semanajt, gjurmët u zbuluan nga një akses i pazakontë në sistemin e e-mailit të SPAK, i regjistruar nga një IP jo e zakonshme, e cila i përkiste një lokacioni të ndryshëm nga ato të zakonshmet të përdorura nga institucionet shqiptare. Kjo aktivizoi protokollet e mbrojtjes dhe analizat forensike, të cilat e bënë të thjeshtë ndjekjen e burimit.
“Nëpërmjet IP-së u gjurmua vendndodhja e hakerimit, ndërsa profilizimi i autorëve tregoi se nuk kishin dijeni të thelluara për krimin kibernetik,” u shpreh Semanaj.
SPAK me mbështetje ndërkombëtare
Edhe pse sulmi synonte një nga institucionet më të ndjeshme të drejtësisë, ekspertët pohuan se strukturat teknike të SPAK dhe BKH janë të përgatitura për të përballuar sulme të kësaj natyre. Hetimet u kryen në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, që asistuan në ndjekjen e gjurmëve dixhitale dhe sigurinë e serverëve.
Një mesazh për autorët e sulmeve të ardhshme
Ky rast tregon se edhe një përpjekje e vogël për të hyrë në sistemet e drejtësisë mund të kthehet në bumerang, sidomos kur përballë ke strukturën më të mbrojtur të shtetit shqiptar dhe mbështetjen e inteligjencës së SHBA-së dhe BE-së.
“Aty ku hyn SHBA-ja, nuk vjedh dot njeri!” – tha me tone të forta Spartak Ngjela, duke ironizuar sulmin e dështuar dhe duke dhënë mesazhin që krimi dixhital në Shqipëri nuk do të ketë më terren të sigurt.