
Një incident i rëndë ndodhi mesditën e sotme pranë Ministrisë së Jashtme në Tiranë, ku një autobus urban u përfshi nga flakët, duke shkaktuar alarm mes qytetarëve.
Sipas raportimeve, zjarri ka shpërthyer në pjesën e pasme të autobusit, ndërkohë që tymi i dendur dhe flakët janë vënë re nga kalimtarët, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Pasagjerët kanë arritur të dalin në kohë, pa pësuar lëndime. Fatmirësisht, reagimi i shpejtë ka shmangur pasoja më të rënda në njerëz, por ngjarja ka shkaktuar panik dhe ka paralizuar qarkullimin në zonën përreth.
Në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja, e cila është angazhuar për shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e rrezikut të përhapjes së zjarrit. Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat.
Qytetarët janë të alarmuar nga mungesa e kontrollit teknik të mjeteve publike, ndërsa rasti ngre pikëpyetje mbi standardet e sigurisë së transportit urban në kryeqytet.