
Sali Berisha ka deklaruar gjatë mitingut të hapjes së fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza” se është politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria, duke iu referuar edhe vettingut të kryer ndaj tij nga institucionet që i konsideron të kontrolluara nga Edi Rama.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Berisha u shpreh se vendi ndodhet në një betejë për jetë a vdekje mes dy botëve politike: njëra që ka përfaqësuar plaçkitjen dhe rrënimin, dhe tjetra që sjell shpresën dhe rilindjen kombëtare.
“Këto ditë përballen dy projekte: njëra që e rrënoi Shqipërinë si kurrë më parë dhe tjetra që do ta ringrejë me dinjitet. Shqipëria është e sëmurë dhe kjo sëmundje ka një emër: Edi Rama.”
Sipas Berishës, Edi Rama ka frikë nga transparenca dhe ka dy muaj që është “ngujuar në zyrë dhe flet me vete”. Ai e akuzoi kryeministrin se po përpiqet të zhdukë opozitën përmes arrestimeve, korrupsionit dhe përçarjes.
“Ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Edi Rama nuk u tregon dot shqiptarëve asnjë vepër në 12 vite, sepse ka bërë vetëm një gjë: ka vjedhur.”
Berisha e quajti luftën e Ramës kundër PD-së si “luftën e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, ndërsa deklaroi me forcë se kjo parti është garancia e pluralizmit dhe demokracisë, forca që përmbysi diktaturën dhe anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe Këshillin e Europës.
“Ky flamur është flamuri i pluralizmit politik. Kjo parti i dha Shqipërisë dritë në vend të errësirës, ekonomi tregu në vend të varfërisë, dhe integrim në vend të izolimit.”
Fjalimi i Berishës u mbyll me një thirrje për bashkim dhe mobilizim kombëtar, për të fituar “betejën e Shqipërisë madhështore” dhe për të rikthyer dinjitetin kombëtar, që sipas tij, është shkatërruar nga qeverisja aktuale.