Berisha Thumbon Ramën: Vitet e Mia Janë Bio, Ti Më Ngjan me Gjyshin e Gramozit

0

Sali Berisha ka vazhduar me sulme dhe ironizime të forta ndaj Edi Ramës gjatë mitingut të hapjes së fushatës së koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ku e përqeshi për komentet mbi moshën.

“Për nga mosha unë të garantoj ty se vitet e mia, aq sa i kam, i kam që të gjitha bio. Për nga mosha ti më ngjan mua jo me Gramoz Ruçin, por me gjyshin e Gramozit”, u shpreh Berisha para mbështetësve të tij.

Ai vazhdoi më tej me një retorikë të fortë politike, duke akuzuar Ramën për përpjekje të vazhdueshme për të fshirë opozitën nga historia dhe për të ndaluar çdo formë kundërshtimi demokratik.

“Edi Rama, sonte e ka të vështirë natën. Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat, sepse sonte ne nisemi drejt betejës së fitores, drejt Shqipërisë madhështore,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, 12 vitet e qeverisjes socialiste kanë qenë vite të shkretimit, varfërimit dhe zhdukjes së dinjitetit kombëtar. Ai e quajti qeverinë e Ramës një regjim të narkoshtetit që në bashkëpunim me mafien ndërkombëtare ka tentuar të fshijë çdo arritje të Partisë Demokratike dhe çdo kontribut të qytetarëve për pluralizmin politik dhe lirinë kombëtare.

“Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë, të ngritur si feniksi nga hiri, drejt fitores. Ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë dhe një betim solemn për ta rikthyer tek ëndrrat e saj,” tha Berisha.

Fjalimi i tij përmbylli një tjetër episod të ashpër të fushatës, ku sulmet personale dhe metaforat politike janë kthyer në armën kryesore të kreut të opozitës në përballjen me Ramën.


Artikulli i mëparshëmBerisha: Jam Politikani Më i Pastër – Rama Është Sëmundja e Shqipërisë
Artikulli i radhësCarlo Ancelotti përballë shkarkimit – Perez i vendos ultimatum: Kalo Arsenalin ose lë Real Madridin