
Sali Berisha ka publikuar një denoncim tronditës, ku pretendon se Safet Bajri, një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Shqipëri, është transferuar nga burgu 313 në burgun e sigurisë së lartë të Reçit me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe zyrtarit të lartë Ergys Agasi.
Sipas këtij denoncimi, Safet Bajri ka marrë kontrollin real të burgut të Reçit, duke u kthyer në “drejtor” jozyrtar të institucionit, ndërsa ushtron ndikim dhe kryen fushatë elektorale nga qelia, nëpërmjet pajisjeve të ndaluara si telefonat celularë.
“Me urdhër të ministrit Manja dhe Gys Agasit, Bajrat nga burgu 313 janë transferuar në burgun e Reçit, ku Safeti është drejtori real. Ai vet dhe dy të burgosur të tjerë janë pajisur me telefona dhe bëjnë fushatë elektorale nga mëngjesi në darkë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha, që sipas tij, vjen nga një burim qytetar anonim.
Ky denoncim shton dyshimet për një ndërthurje të fortë mes strukturave shtetërore dhe botës së krimit, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve që po afrojnë. Berisha ka qenë vazhdimisht kritik ndaj qeverisë, duke akuzuar ministrinë e Drejtësisë për mbrojtje dhe lehtësira ndaj eksponentëve të rrezikshëm të krimit të organizuar.
Safet Bajri, i njohur edhe për veprimtarinë e tij kriminale në Belgjikë dhe Shqipëri, rezulton sipas denoncimit se gëzon trajtim preferencial në burg, duke pasur akses në mjete komunikimi dhe ndikim mbi të burgosurit e tjerë.
Aktualisht, nuk ka ende një reagim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, apo drejtuesit e burgut të Reçit për të hedhur poshtë apo për të konfirmuar këtë informacion.
Skandali i pretenduar i radhës ka ndezur një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe opinionin publik, ndërsa kërkesat për hetim dhe transparencë nga institucionet shtetërore janë gjithnjë e më të zëshme.
Nëse këto pretendime vërtetohen, ato rikthejnë debatin mbi kapjen e shtetit, përdorimin e burgjeve për qëllime politike dhe përfshirjen e grupeve të strukturuara kriminale në jetën politike të vendit.