
Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministër dhe figurë kyçe e qeverisjes së Edi Ramës, ka marrë një fitore të pjesshme ligjore, pasi Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e tij për sekuestrimin e disa pasurive.
Vendimi i Kushtetueses ka shfuqizuar sekuestron mbi:
- Një apartament në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë,
- Një llogari bankare në Intesa SanPaolo Bank,
- Një depozitë bankare në të njëjtën bankë.
Sipas vendimit, çështja rikthehet për gjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ndërkohë që kërkohet anonimizimi i të dhënave personale në vendimin publik.
Vendimi i Plotë Përfshin:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të Apelit të Posaçëm dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pjesën që lidhet me sekuestron.
- Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm.
- Anonimizimin e të dhënave personale në publikim.
Ahmetaj ndodhet në arrati që prej korrikut 2023, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar. Ai po hetohet nga SPAK për:
- Korrupsion pasiv,
- Pastrim parash,
- Fshehje pasurie.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar vila, apartamente dhe llogari bankare, si dhe janë zbuluar dyshime për përfitime të paligjshme në lidhje me kontrata koncesionare gjatë kohës që ai mbante funksione qeveritare.
Në mars të 2024-s, SPAK i ka komunikuar zyrtarisht akuzat, përmes avokatit të tij mbrojtës.