
Në një deklaratë të pazakontë nga një takim me strukturat e grave dhe vajzave socialiste, kryeministri Edi Rama njoftoi se Partia Socialiste do të kandidojë një grua për postin e kryeministres në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
Kjo deklaratë u bë gjatë eventit “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, ku Rama kërkoi mbështetje për një mandat të katërt qeverisës, por la të kuptohej se në mandatin e pestë ai nuk do jetë më në krye të qeverisë.
“Në vitin 2030 do takohemi sërish për të mbështetur një grua si kryeministre të Shqipërisë,” deklaroi ai, duke dhënë një sinjal të qartë për një kalim të pushtetit te një lidere femër brenda PS-së.
Ky paralajmërim vjen në një moment kritik të fushatës zgjedhore të majit 2025 dhe shihet si një hap strategjik për të forcuar elektoratin femëror, por edhe për të lënë trashëgimi politike të kontrolluar.
Megjithëse Rama nuk përmendi emra konkretë, mediat dhe analistët kanë përmendur më herët figura si Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali si potenciale pasuese brenda Partisë Socialiste.
Deklarata e Ramës përforcon pozicionimin e tij si lideri që synon të menaxhojë tranzicionin brenda partisë, duke mos u larguar papritur, por duke projektuar një kalim të kontrolluar të lidershipit drejt vitit 2030.