Shpërthim i Fuqishëm në Athinë: Bomba Aktivizohet Pranë Zyrave të “Hellenic Train”

0

Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e së premtes qytetin e Athinës, kur një bombë shpërtheu rreth orës 21:30 në afërsi të zyrave të kompanisë “Hellenic Train” në rrugën Syggrou Avenue.

Sipas raportimeve nga mediat greke, një telefonatë anonime rreth orës 20:53 kishte paralajmëruar për vendosjen e një bombe, duke nënvizuar se “kjo nuk është një shaka” dhe duke dhënë një afat prej 35-40 minutash për shpërthimin.

Policia greke mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ku konstatoi një skuter pa targa me një çantë shpine me dry, vendosur pranë një kolone. Zona u bllokua plotësisht për qarkullimin e automjeteve dhe u evakuua për siguri.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë një person të panjohur që afrohet me motor dhe lë çantën pranë godinës. Vetëm pak minuta më pas ndodhi shpërthimi i madh, që për fat të mirë nuk shkaktoi të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Njësia për Krime të Rënda dhe Dhunë Ekstreme ka nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe motivin e këtij sulmi, i cili ka shkaktuar panik në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit grek.


Artikulli i mëparshëmCarlo Ancelotti përballë shkarkimit – Perez i vendos ultimatum: Kalo Arsenalin ose lë Real Madridin
Artikulli i radhësGjykata Kushtetuese Heq Sekuestron për Disa Pasuri të Arben Ahmetajt – Çështja Rikthehet në Apel