
SPAK ka firmosur urdhër-arrestet për Roven Zekën, shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Sokol Novakun, shef i Sektorit të Aksidenteve dhe Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore, për një skemë të dyshuar korrupsioni që lidhet me manipulimin e një aksidenti rrugor.
Profesori i Kriminalistikës Ervin Karamuço ka deklaruar në emisionin “Review” në Euronews Albania se ndaj Zekës rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi ai ka firmosur akte në kundërshtim me ligjin, me qëllim rregullimin e skenës së një aksidenti. Sipas Karamuços, është rënë dakord për një pagesë të caktuar për të “mbyllur” aksidentin në favor të palës së përfshirë.
Për dy zyrtarët e tjerë, Novakut dhe Tabakut, SPAK ka ngritur akuza për korrupsion pasiv, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse pagesa është kryer dhe deri ku shkon përfshirja e secilit në këtë skemë.
Sipas Karamuços, ky nuk është një rast i izoluar. Policia Rrugore ka qenë prej vitesh në qendër të akuzave për veprime korruptive, por kjo është ndër herët e para që drejtues të saj të nivelit të lartë përballen me masa të rënda penale.
Ai gjithashtu hodhi dritë mbi një tjetër detaj tronditës: Rreth dy javë më parë, Roven Zeka ka raportuar tek eprorët e tij se ishte kërcënuar nga një prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend, me fjalët “ti nuk do jesh më”. Ende nuk dihet nëse ky kërcënim lidhet drejtpërdrejt me akuzat e SPAK, por kjo e shton dyshimin për një konflikt më të gjerë mes strukturave të rendit dhe grupeve me influencë financiare në kryeqytet.
Karamuço nënvizoi se SPAK është përballë një rasti ku ndërthuren veprimet korruptive me presione të nivelit të lartë, dhe se hetimi duhet të shkojë deri në fund për të zbardhur jo vetëm rastin konkret, por të gjithë rrjetin që mund të qëndrojë pas kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, opinion publik dhe media vijojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet, ndërsa arrestimi i Zekës dhe shoqërimi i tij në polici u regjistrua edhe nga kamerat, duke u komentuar si një nga goditjet më të forta të SPAK në Policinë e Shtetit për vitin 2025.