
Një tragjedi ka tronditur ditën e djeshme Qerretin e Kavajës, ku një punëtor 59-vjeçar humbi jetën gjatë çmontimit të një skelë ndërtimi, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.
H.P., 59 vjeç, humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa S.H., 36 vjeç, pësoi dëmtime në këmbë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Pas hetimeve të para, Policia e Kavajës arrestoi në flagrancë E.Xh., 68 vjeçe, me detyrë drejtuese teknike e punimeve në pallatin ku ndodhi aksidenti.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim:
- E.D., 53 vjeç, administrator dhe sipërmarrës i ndërtimit
- M.Sh., 31 vjeç, inxhinier i kompanisë
Të gjithë akuzohen për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, një vepër penale që rrezikon të rëndojë ndjeshëm përgjegjësitë e tyre për këtë humbje të rëndë jete.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku pritet të thellohet hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të secilit.
Kujtojmë se mungesa e masave të duhura të sigurisë në ndërtim ka rezultuar shpesh fatale në Shqipëri, duke ngritur shqetësime serioze për nevojën e kontrolleve më rigoroze dhe dënimeve shembullore për shkelësit.