
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, duke e quajtur “të infiltruarin e Sali Berishës” dhe duke kërkuar arrestimin e tij nga SPAK.
Nga një takim elektoral në Shkodër, Doshi deklaroi:
“Duhet t’i kërkojmë falje Shkodrës që mbështetëm këtë njeri. Nuk e dinim që ishte i infiltruar nga Saliu. Ky njeri po bën çdo ditë të këqija për qytetin.”
Sipas tij, të larguarit nga puna do të rikthehen brenda majit dhe socialistët janë zëvendësuar me individë të importuar nga PD, ndërsa nënkryetari aktual, që sipas Doshit ka votuar në Primaret e Berishës, është vendosur nga Beci.
“Nuk fitohet bashkia me njerëz që do përfundojnë pas hekurave. E mbështes reformën në drejtësi dhe i bëj thirrje SPAK-ut të pastrojë Shkodrën nga Benet Beci,” – shtoi ai.
Më tej, Doshi akuzoi edhe Partinë Demokratike, duke deklaruar se kandidatët për deputet në Shkodër kanë blerë mandatet, përmes një pazari me Sali Berishën.
“Është bërë pazari i mandateve si i gjësë së gjallë. Një emër aty te PD-ja i ka blerë votat. Lista e mbyllur e Saliut është thjesht një treg.”
Ai përfundoi duke thënë se PSD është e vetmja parti që përfaqëson të majtët dhe të djathtët në zgjedhjet e 11 majit, dhe u bëri thirrje shkodranëve të votojnë masivisht për partinë e tij.