Ushtria Ekuadoriane Çliron 2 Pengje Shqiptare Nga Grupi Kriminal ‘Los Choneros’

0

Një operacion i përbashkët ushtarak dhe policor në Santa Elena të Ekuadorit ka çuar në çlirimin e pesë pengjeve, mes tyre dy shqiptarë, dhe në goditjen e rëndë ndaj organizatës së njohur kriminale “Los Choneros”.

Sipas njoftimit zyrtar të Ushtrisë së Ekuadorit, operacioni u zhvillua pas përleshjeve të armatosura në një kompleks të kontrolluar nga grupi kriminal në zonën e Rinconada dhe Ayampe. Gjatë ndërhyrjes u qëllua një prej anëtarëve të armatosur të grupit, ndërsa katër persona u arrestuan.

Në pronën e bastisur u sekuestruan 4 armë zjarri, 74 predha 9 mm, 6 celularë dhe materiale të tjera të dyshimta që tashmë janë dorëzuar në autoritetet përkatëse për hetim të mëtejshëm.

Të shpëtuarit përfshijnë dy shqiptarë dhe tre shtetas ekuadorianë, të cilët dyshohet se ishin rrëmbyer për qëllime shpërblimi apo frikësimi nga grupi i armatosur “Los Choneros”, një nga strukturat më të dhunshme të krimit të organizuar në Ekuador me lidhje në trafik droge dhe rrëmbime ndërkombëtare.

Ndonëse identitetet e pengjeve shqiptare nuk janë bërë publike, ngjarja vjen si një alarm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë në rrjete kriminale ndërkombëtare apo si viktima të rrezikut që paraqesin këto struktura në vende si Ekuadori, i përfshirë në një luftë të hapur me kartelet e drogës.

Autoritetet shqiptare pritet të reagojnë për riatdhesimin dhe mbrojtjen konsullore të shtetasve të shpëtuar, ndërkohë që operacioni konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj një prej karteleve më të frikshme të Amerikës Latine.

Artikulli i mëparshëmVizitë Zyrtare në Tiranë: Kryeministri Rama Pret Mbretin Abdullah II të Jordanisë
Artikulli i radhësBorxhi Në “IuteCredit” I Çoi Në Krim: Pengmarrje Për 2 Milion Lekë, Burg Për 6 Autorët