
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Një 14-vjeçare me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës, është hedhur nga kati i tretë i banesës ku jetonte me familjen e saj në zonën e Massafras, në provincën e Tarantos.
E mitura u transportua menjëherë në spitalin “Santissima Annunziata”, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda, duke ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes.
Mediat italiane raportojnë se dyshohet për një akt ekstrem të nxitur nga bullizmi, megjithëse hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk është përjashtuar asnjë pistë.
Nëna e vajzës ka qenë e pranishme në banesë në momentin tragjik dhe, sipas dëshmisë së saj, ka parë vajzën teksa hapi dritaren dhe u hodh nga lartësia. Hetuesit italianë po rindërtojnë me kujdes çdo sekuencë të ngjarjes për të kuptuar shkaqet e plota të vetëhedhjes.
Kjo humbje e dhimbshme e një jete të re ka ngritur alarmin për shëndetin mendor të të rinjve dhe pasojat e bullizmit, ndërkohë që pritet një reagim më i fortë institucional për trajtimin e çështjeve të tilla në kohë dhe me ndjeshmëri.