
Pas përfundimit të hetimeve ndaj Ilir Metës, avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka reaguar ashpër duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe politikisht të motivuara. Ai deklaroi për mediat se Meta po përballet me tri akuza kryesore: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave, por asnjëra prej tyre nuk qëndron sipas mbrojtjes.
Sipas Cakranit, hetimet janë përmbyllur pikërisht pas zgjedhjeve, me qëllimin për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet e manipulimeve zgjedhore. Ai shton se ky proces nuk është i drejtë, pasi shumë ish-funksionarë të LSI-së, të cilët sipas tij duhej të ishin të pandehur, jo vetëm që nuk janë përballur me drejtësinë, por mbajnë sot funksione publike.
“Do të kërkojmë hetime shtesë dhe dëgjimin e dëshmitarëve që kanë dijeni për rrethanat reale të çështjes. Kjo është një farsë politike dhe ky do të jetë procesi i shekullit,” – tha avokati Cakrani.
Ai nënvizoi se ekipi i mbrojtjes do të përdorë të gjitha të drejtat procedurale për të kundërshtuar akuzat dhe për të demaskuar selektivitetin e hetimeve të SPAK, të cilat sipas tij janë fokusuar vetëm te Meta për arsye politike.