KPA Shkarkon Nga Detyra Gjyqtaren Ardiana Bera Për Probleme Me Pasurinë

0

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur më 20 maj 2025 të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Ardiana Bera për probleme në kriterin e pasurisë.

Konfirmimi fillestar i Berës në detyrë, i dhënë nga KPK më 26 prill 2024, ishte ankimuar nga Komisionerët Publikë, të përfaqësuar në këtë proces nga prokurori i SPAK, Adnan Xholi, pas marrjes së kompetencave nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, KPA mbështeti të gjitha pretendimet e Komisionerit Publik, duke vlerësuar se gjyqtarja Bera nuk ka provuar burimin e ligjshëm të pasurive, përfshirë:

  • Një apartament me sipërfaqe 136.7 m² në Tiranë
  • Kursimet në cash
  • Një llogari bankare në emër të vajzës

Sipas KPA-së, Bera nuk arriti të justifikojë një hua prej 2 milionë lekësh, e deklaruar si e marrë nga vëllezërit për blerjen e apartamentit, pasi nuk u vërtetuan të ardhurat nga emigracioni që do të mbështesnin këtë hua.

Gjithashtu, për deklarimin e 1 milion lekëve dhuratë nga vëllezërit për llogarinë e vajzës, trupi gjykues arriti në përfundimin se kishte balancë negative, duke mos e konsideruar burim të mjaftueshëm për krijimin e llogarisë.

Bilancet negative për disa vite, në total rreth 3.1 milionë lekë, e bënë të pamundur zbatimin e parimit të proporcionalitetit, duke çuar në vendim përfundimtar të shkarkimit nga detyra.

Për ekonomi gjyqësore, trupi gjykues nuk u shpreh mbi aspektin profesional të gjyqtares, edhe pse ai ishte pjesë e ankimit nga Komisioneri Publik.

Ky vendim i KPA-së është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.

Artikulli i mëparshëmGjykata Kushtetuese Rrëzon PD Për Mandatin E Deputetit Socialist Vullnet Sinaj
Artikulli i radhësIsh-Drejtoresha E Bashkisë I “Shpëton” Burgut! Deborah Keçi Dënohet Me 16 Muaj Provë – Vendimi I GJKKO Për Dosjen “5D”