
Rreziku i një skenari si Çernobili trondit rajonin pas goditjes së dyshuar të centralit në Bushehr
Një përshkallëzim dramatik në Lindjen e Mesme po sjell alarm global. Rusia ka paralajmëruar se një sulm izraelit ndaj centralit bërthamor iranian në Bushehr mund të provokojë një katastrofë të përmasave të Çernobilit.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë shtetërore bërthamore ruse Rosatom, Alexey Likhachev, deklaroi se një goditje mbi centralin në fjalë do të ishte “përtej çdo të keqeje të imagjinueshme”, duke theksuar se rreziku për rrjedhje radioaktive në të gjithë Gjirin Persik është real dhe i menjëhershëm.
“Nëse kryhet një sulm… do të jetë një katastrofë e krahasueshme me atë të Çernobilit”, tha Likhachev për agjencinë ruse RIA Novosti.
Bushehr, objektivi i padeklaruar
Centrali ndodhet në jug të Iranit, në brigjet e Gjirit Persik, dhe është i vetmi central bërthamor funksional në vend. Ai u ndërtua me ndihmën e Rusisë dhe punëson dhjetëra specialistë rusë, të cilët, sipas Rosatom, janë evakuuar menjëherë pas sinjaleve të para të rrezikut.
Kundërthënie nga Izraeli
Një zëdhënës ushtarak izraelit fillimisht konfirmoi goditjen, por më pas një tjetër zyrtar tha se kjo ishte një “gabim” dhe nuk mund të konfirmonte nëse centrali ishte realisht në shënjestër. Kjo paqartësi vetëm sa ka rritur tensionet ndërkombëtare.
Rreziku për gjithë rajonin
Ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda në rast të një shpërthimi. Scott Roecker, nënkryetar në Iniciativën e Kërcënimit Bërthamor, tha për CNN se “një sulm ndaj Bushehrit do të shkaktonte një shpërndarje masive të rrezatimit”. Edhe vendet arabe të Gjirit shprehën ankth për ndotjen e mundshme, që do të përfshinte gjithë zonën përreth.
Kremlini reagon ashpër
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se Moska është veçanërisht e shqetësuar për sigurinë e specialistëve rusë në Bushehr, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë çdo akt që mund të destabilizojë sigurinë bërthamore në rajon.