
Tensionet në Theth janë rritur ndjeshëm pas ndërhyrjes së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit për shembjen e ndërtimeve pa leje. Gjatë rezistencës së banorëve, një grua ka humbur ndjenjat dhe është transportuar me urgjencë në ambulancën e zonës.
Pamjet filmike të publikuara nga Euronews Albania tregojnë momentin dramatik kur gruaja merret në krahë nga familjarët për të marrë ndihmën mjekësore.
IKMT Nën Presion: 80 Objekte Pa Leje Për T’u Shembur
Në Theth ndodhet drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila ka kërkuar që operacioni të përshpejtohet. Sipas autoriteteve, në zonë janë identifikuar rreth 70–80 objekte të ndërtuara pa leje, shumica në qendër të fshatit, në shkelje të ligjit për zonat e mbrojtura.
“Procesi i shembjes nuk mund të ndalet nga rezistenca e një pakice që ka shkelur ligjin,” – deklaruan burime pranë IKMT.
Fillimisht ishte parashikuar që aksioni të zgjaste 5 ditë, por përplasjet me banorët po e shtyjnë afatin. IKMT ka shtuar numrin e fadromave dhe është në gatishmëri të plotë për të çuar deri në fund planin e lirimit të hapësirave të zëna.
Banorët: “Nuk jemi kundër ligjit, por kërkojmë dialog!”
Nga ana tjetër, banorët e Thethit deklarojnë se ndërhyrja është e dhunshme dhe pa asnjë paralajmërim konkret. Ata kërkojnë dialog me autoritetet dhe një zgjidhje për legalizimet, përpara se të shemben godina të cilat përbëjnë edhe burim jetese për turizmin lokal.
Përplasjet fizike që ndodhën më parë e kanë shtyrë IKMT të ndërpresë përkohësisht operacionin, por mëngjesin e sotëm ndërhyrja rifilloi me mbështetje të shtuar policore.