
Trajneri aktual i kombëtares së Brazilit, Karlo Ancelotti, është dënuar nga një gjykatë spanjolle me 1 vit burg për mashtrim tatimor, në lidhje me periudhën kur ai drejtonte Real Madridin në vitin 2014.
Sipas vendimit të Gjykatës së Madridit, Ancelotti është gjithashtu i detyruar të paguajë një gjobë prej 386 mijë eurosh. Prokuroria spanjolle e kishte akuzuar atë për fshehjen e rreth 1 milion euro të ardhura gjatë viteve 2014 dhe 2015, duke përdorur kompani fiktive për të shmangur tatimin mbi të ardhurat nga të drejtat e imazhit.
Në fillim të vitit 2024, autoritetet tatimore e akuzuan trajnerin italian për struktura të ndërlikuara financiare që synonin të fshihnin të ardhurat reale. Megjithëse fillimisht prokuroria kishte kërkuar një dënim deri në katër vjet e nëntë muaj burg, vendimi final përfundoi me një vit burg dhe gjobë monetare.
Ancelotti është një nga emrat më të njohur të futbollit që përfshihet në hetimet për shmangie të detyrimeve tatimore në Spanjë, një listë në të cilën kanë qenë edhe futbollistë dhe trajnerë të tjerë me profil të lartë. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka vuajtur fizikisht dënimin në burg, pasi sipas ligjit spanjoll, dënimet nën dy vjet për shkelje të herës së parë mund të pezullohen.
Megjithatë, ky dënim përbën një njollë në karrierën e njërit prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit europian, i cili aktualisht është në krye të përfaqësueses braziliane.