“Ti Mos Pretendo Se Je Zoti” – Mesazhi i Plotë i Famullitarit Dom Vlash Palaj Pas Shembjeve në Theth

0

Në meshën e së dielës në Shkodër, famullitari katolik Dom Vlash Palaj mbajti një fjalim të fuqishëm dhe të ndjerë ndaj zhvillimeve të fundit në Theth, ku autoritetet kanë nisur aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Më poshtë, mesazhi i plotë i Dom Vlash Palajt, siç u shpreh gjatë meshës:


“Por kurrë ti mos merr pretendimin se je Zoti i tjetrit. Kërkoni të bindni njeni-tjetrin e të gjeni një rrugëzgjidhje, e cila është në të mirën e të gjithëve. Nuk është ligji mbi çdo gjë.

Ligji është mbi çdo gjë, atëherë kur ne kemi shkelur mbi njerëzinë tonë dhe kemi shkelur atë prani Hyjnore, e cila e ka stolisur jetën njerëzore për të gjetur rrugëzgjidhje më paqësore dhe më dialoguese mes vëllezërve. Duhet të dimë gjithmonë të marrim vesh, sepse nuk zgjidhet raporti i vëllaznisë me gjykime e me dënime.”


Fjalimi i plotë:

“Një konflikt i madh atje në Theth. Më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan. Do t’i gjobisin e do t’i burgosin.

Faik Konica thotë një fjalë, e cila duhet të na bëjë të reflektojmë: E keqja më e madhe e Shqipërisë janë shqiptarët. Por cilët shqiptarë? Ata që s’i kanë mësuar ende fjalët e jetës.

Në qoftë se don me zgjidh problemin me vëllaun tand, me të afërmin tand – jena pjesë e një kombi. Shqipëria është një fshat i vogël në krahasim me vendet e tjera. Krishti thotë: Merre përpara vëllaun tand, ulu me të, mos e kushtëzo dialogun tënd në kohë. Kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Por mundet me të ndodh që s’ndigjon.

Atëherë, të lutem, mos e dëno, mos e gjyko as mos e paragjyko, sepse nuk je ti Zoti i jetës së tij. Thirri edhe 2-3 dëshmitarë, edhe në praninë e tyre thuaji edhe njëherë. E në qoftë se edhe ato nuk i ndigjon, e prapë nuk ndigjon, prapë mos u dorëzo. Ftoje krejt bashkësinë. Uluni të gjithë së bashku. Diskutoni sesi mund të zgjidhet problemi i këtij personi. Mund të ndodhin që as ato nuk i ndigjon. Atëherë, kur ke bërë edhe tentativën e tretë, dhe i ke vënë në dijeni të gjithë, atëherë kur nuk merr vesh, leçite – veçoje, thotë.

Sepse nuk e do të mirën.

Kurse, në atë realitet të atij fshati malor, ça vërejmë? A thua se jena armiq të njeni-tjetrit. Më besoni, të krishtenë të dashur, dhe ju ftoj që të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gjë. Për shkak se populli jonë vazhdon fatkeqësisht të jetë i mbushur prapë me armiqësi, me urrejtje, me një varfëri të theksuar shpirtërore, atëherë nuk merr parasysh se atij tjetrit je duke ia shkatërruar jetën, edhe pse ai tjetri ndoshta ka jetuar e ka vepruar në mënyrë të gabuar.

Por kurrë ti mos merr pretendimin se je Zoti i tjetrit.

Kërkoni të bindni njeni-tjetrin e të gjeni një rrugëzgjidhje, e cila është në të mirën e të gjithëve. Nuk është ligji mbi çdo gjë. Ligji është mbi çdo gjë, atëherë kur ne kemi shkelur mbi njerëzinë tonë dhe kemi shkelur atë prani Hyjnore, e cila e ka stolisur jetën njerëzore për të gjetur rrugëzgjidhje më paqësore dhe më dialoguese mes vëllezërve.

Duhet të dimë gjithmonë të marrim vesh, sepse nuk zgjidhet raporti i vëllaznisë me gjykime e me dënime. Por ata që janë skllevër të jetës, skllevër të sjelljeve të saj, nuk marrin parasysh se tjetrit i shkatërrohet jeta.

Dashtë Zoti që të piqen edhe ato kushtet kulturore, historike, njerëzore e të lartësohemi disi në ndërgjegjen tonë. Përndryshe, s’kena me pas kurrë paqe. Ashtu siç shumë njerëz kanë humbur jetët e tyre, kena shumë, shumë kujtesë të keqe nga e shkuara, sepse janë vrarë për një copë tokë, për një vijë uji, e sot duke u vrarë për disa kabina dërrasash, të cilat përbëjnë e shprehin një sakrificë të një populli, që historikisht ka vuajtur e don me mujt me jetuar e me pa vetëvedin se është disi i sigurt në atë dinjitet të jetës së tij.

Por ja që ka prapë shumë ligësi dhe nuk din me u marrë vesh për të mirën.

Zoti ia shndritë mendjen çdokujt e çdokush dittë me u naltësuar në atë dinjitet të të qenurit njerëz dhe shprehjes së njerëzisë, sepse jena të gjithë bij të të njëjtit Atë, që i bën me qenë vëllezër e motra mes nesh.”


Mesazhi për turistët:

“Pa harruar se duhet t’u japim mirëseardhjen emigrantëve, uroj që të kaloni ditë të qeta, plot me bekime shpirtërore, qetësi e liri mendore, por edhe me pushim fizik. Sepse pushimet duhet të jenë integrale, domethënë të gjitha aspektet e jetës njerëzore.

Fatkeqësisht, ju këshilloj të mos shkoni në Theth, se aty humbni qetësinë mendore dhe shpirtërore, e si pasojë, edhe fizikisht nuk keni me gjetë paqe. Nuk është faji juaj.

Faji kuptohet është i atyre që janë më shumë të prirur me bërë keq dhe me shkatërruar sesa me ndërtuar. Kujdes, sepse ata që janë më të padrejtë, bëjnë çmos të jenë të dhunshëm për të imponuar drejtësinë e tyre tek të tjerët.”


Ky reagim i fortë i klerikut katolik vjen në një moment tensionesh të larta në Theth, ku veprimet e IKMT dhe përplasjet me banorët kanë ndezur debat kombëtar për mënyrën sesi zbatohet ligji dhe sa ndjeshmëri ka shteti ndaj komuniteteve historike dhe të izoluara.

Artikulli i mëparshëmMasakër Në Kishë Në Kentucky: Dy Gra Të Vdekura, Autori I Ekzekutuar Nga Policia
Artikulli i radhësRritja e çmimeve të qirave u përshpejtua në maj 2025