
Eksportet shqiptare janë rritur me 2.1% në 6-mujorin e parë të 2025-s, duke shmangur rënien totale falë një faktori të vetëm: Kosova. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se shitjet drejt Kosovës janë rritur me 72.5%, duke kompensuar rënien e ndjeshme të eksporteve drejt vendeve të tjera si Italia, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.
Në vlerë, 14 miliardë lekë nga rritja totale e eksporteve vijnë vetëm nga Kosova, ndërkohë që eksportet drejt Italisë janë tkurrur me 9.4 miliardë lekë, duke e kthyer Kosovën në partnerin e dytë më të madh tregtar të Shqipërisë, pas Italisë. Sot, Kosova përbën 17% të të gjitha eksporteve shqiptare, nga vetëm 10% një vit më parë.
Lëndët Djegëse, Energjia dhe Mineralet “Shtyjnë” Eksportet/ 8.5-Fishim me Kosoven
Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” është përgjegjës për pjesën më të madhe të rritjes. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 44% në total, duke arritur në 56 miliardë lekë për periudhën janar-qershor. Vetëm në drejtim të Kosovës, shitjet e këtij grupi janë 8.5 fishuar, nga 2.2 miliardë lekë në 2024 në 19 miliardë lekë në 2025.
Ndryshe nga vitet e shkuara, ku Bankers Petroleum dominonte me eksportet e naftës në Spanjë, këtë herë është Kosova që ka marrë frenat si destinacioni kryesor i naftës dhe energjisë.
Tekstilet Në Stanjacion – Ndërtimi dhe Metalet në Rënie Dramatike
Sektori fason i tekstileve dhe këpucëve po përjeton një periudhë stagnimi. Në qershor 2025, ky grup ka pasur një rritje minimale prej 0.1%, ndërsa për 6 mujorin ka shënuar rënie prej 1.3%. Kompanitë e këtij sektori kanë reduktuar sezonin e prodhimit të dimrit nga 5 muaj në 4, duke sinjalizuar probleme strukturore dhe mungesë të porosive.
Më i godituri është sektori i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që ka pësuar tkurrje prej 33% për 6-mujorin, për shkak të rënies së aktivitetit të kompanisë Kurum dhe kërkesës së ulët në rajon. Çmimet gjithashtu janë në rënie.
Ushqimet, Pijet dhe Duhani: Rritje Rekord në Qershor
Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” ka qenë surpriza pozitive e këtij viti. Në qershor, ky sektor u rrit me 228%, ndërsa për 6 mujorin rritja totale ishte 8.5%. Kjo ka ardhur si rezultat i konsolidimit të fermave, investimeve në magazina dhe zgjerimit të tregjeve, përfshirë edhe vendet nordike.
Produktet më të kërkuara janë lakra, pjepri dhe shalqiri, të cilat kanë përfituar nga mungesat në prodhim në rajonet e tjera të Mesdheut për shkak të motit ekstremisht të nxehtë.
Makineritë në Vendnumëro – Euro e Dobët dhe Mungesa e Punëtorëve
Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ka parë një rritje të vakët prej vetëm 3.8%, i goditur nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Eksportet Rriten, Importet Bien – Deficiti Tregtar Tkurret
Në qershor 2025, eksportet u rritën me 1.9%, ndërsa importet ranë me 0.2%. Si rezultat, deficiti tregtar u ul me 2% në krahasim me një vit më parë, duke zbritur në 41 miliardë lekë. Për të gjithë gjashtëmujorin, eksportet arritën në 203 miliardë lekë, ndërsa importet 431 miliardë lekë, duke sjellë një tkurrje të deficitit me 5.4%.
Kosova, Greqia dhe Gjermania Shtyjnë – Italia dhe Maqedonia Bien
Përveç Kosovës, rritje kanë pasur edhe eksportet drejt Gjermanisë (+10.3%) dhe Greqisë (+8.6%). Nga ana tjetër, eksportet drejt Italisë ranë me 10.7%, ndërsa ato drejt Maqedonisë së Veriut u tkurrën me 29.8%. Këto ndryshime tregojnë një ristrukturim të rëndësishëm të destinacioneve tregtare shqiptare.
Shqipëria Ka Nevojë Për Strategji të Reja Tregtare
Gjashtëmujori i parë i 2025-s tregon qartë: pa Kosovën, eksportet shqiptare do të ishin në rënie. Sektori energjetik dhe bujqësia po mbajnë në këmbë ekonominë eksportuese, ndërsa tekstilet, ndërtimi dhe makineritë janë në krizë. Shteti duhet të fokusohet në forcimin e lidhjeve me Kosovën, riaktivizimin e tregjeve të vjetra si Italia dhe nxitjen e sektorëve me potencial të lartë si bujqësia dhe ushqimi.