Makina Del Nga Rruga Në Fushë Arrëz, Përplas 3 Gra Para Një Lokali

0

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në hyrje të qytetit të Fushë Arrëzit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përplasur tre gra që ndodheshin para një lokali.

Sipas njoftimit të Policisë së Shkodrës, rreth orës 22:30, drejtuesi i mjetit, shtetasi F. R., 31 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës, duke përfunduar në trotuar dhe duke përplasur tre shtetase që ndodheshin në zonën e jashtme të një lokali në hyrje të qytetit.

Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë dy prej tyre, B. V. dhe V. Gj., ndërsa F. B. ka pësuar dëmtime më të rënda dhe është transportuar në Tiranë për trajtim të specializuar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkakun e daljes nga rruga, ndërsa drejtuesi i mjetit pritet të merret në pyetje në orët në vijim.

Ngjarja ka shkaktuar panik te klientët e lokalit, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e sinjalistikës dhe ndriçimit në zonë, që shpesh sjell pasoja të tilla fatkeqe.

Ky aksident shtohet në listën e ngjarjeve të ngjashme që kanë ndodhur ditët e fundit në vend, duke rikthyer në vëmendje nevojën për më shumë siguri rrugore dhe kontroll teknik të automjeteve.

Artikulli i mëparshëmBota E Muzikës Në Zi! Ndahet Nga Jeta Në Moshën 76-Vjeçare Legjenda E Rock & Roll, Ozzy Osbourne