“Na Jepni Rrogat!”/ Punonjësit E Air Albania Akuza Të Rënda Ndaj Qeverisë: Rrezikohet Edhe Siguria Ajrore

0

Një grup punonjësish të kompanisë ajrore Air Albania ka ngritur alarmin për shkelje të rënda ligjore, vonesa në paga, shkarkime të padrejta dhe cenim të rëndë të sigurisë së pasagjerëve.

Në një deklaratë publike drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe institucioneve të tjera shtetërore, ata i kërkojnë qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar përkeqësimin e situatës.

Punonjësit theksojnë se pas emërimit të një drejtuesi të ri turk në krye të kompanisë, është krijuar një gjendje alarmante, ku jo vetëm janë cënuar të drejtat e stafit, por është vënë në pikëpyetje edhe siguria ajrore.

Ata pretendojnë se mbi 11 muaj sigurimet shoqërore nuk janë paguar, ndërsa shumë punonjës kanë marrë me vonesë 2 deri në 3 paga mujore. Lista e të larguarve përfshin pilota, drejtues teknikë, inxhinierë dhe ekuipazh kabine – shumica prej të cilëve pa arsye zyrtare, ose për shkak të presionit dhe mospagesave të vazhdueshme.

Siguria e pasagjerëve dhe e vetë punonjësve është cenuar rëndë. Presioni psikologjik, mungesa e pagave, mungesa e respektit për standardet operacionale kanë krijuar kushte që rrezikojnë jetën e qytetarëve,” thuhet në deklaratë.

Punonjësit i bëjnë thirrje direkte Kryeministrit Rama dhe institucioneve shqiptare për:

  • Hetim të plotë të shkeljeve të raportuara
  • Pagesën e menjëhershme të pagave dhe sigurimeve për të larguarit dhe për stafin aktual
  • Rikthimin në punë të atyre që janë pushuar padrejtësisht
  • Garantimin e sigurisë dhe dinjitetit në punë për stafin ajror

Në deklaratë përmenden me iniciale 17 punonjës të larguar në mënyrë abuzive, ndërsa shumë të tjerë janë në procese gjyqësore që rrezikojnë të zgjasin me vite. Punonjësit paralajmërojnë se mungesa e veprimit urgjent nga shteti mund të përshkallëzojë më tej situatën, me pasoja të rënda për funksionimin normal të linjave ajrore dhe sigurinë e pasagjerëve.


Artikulli i mëparshëmPushime Me Jaht Dhe Pranga Në Palasë: Si U Kapën Bosët E Kokainës Me Ora, Makina Dhe Miliona Euro