
Pasditen e së premtes, skuadra të BKH-së dhe policisë zbarkuan në Palasë. Biznesmeni Ermir Ndreaj, i njohur si pronari i Cincos në Durrës dhe Savoy-s te Deliorgji, ishte duke shijuar rrezet e diellit në një skaf luksoz në zonën e Palasës, kur efektivët e policisë i shkuan papritur për t’a arrestuar.
Policët dhe agjentët e BKH janë kamufluar si turistë, i janë afruar tropojanit Ndreaj, duke e kapur në befasi. Ndreaj, partner i avokates Elira Ndreaj, të cilës i ka blerë qendrën estetike Cinq në Deliorgj, duket se nuk ishte në dijeni të operacionit të SPAK-ut.
Skafi luksoz është vënë në sekuestro nga policia. Pas arrestimit, policia ushtroi kontrolle në vilën e Ndreajt në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë, ku janë sekuestruar ora të shtrenjta, euro dhe makina luksoze.
Po në Palasë, ku ishin duke shijuar pushimet, u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshaj u kap në Elbasan. SPAK ka sekuestruar 3 makina luksi, njëra prej të cilave Mercedes Benz AMG G63 ose e njohur si G Class, një Volkswagen Golf 7a etj.
Po ashtu, u sekuestruan këto ora luksi që shihni në fotot më poshtë:
- 1 orë Rolex, model 126613LN
- 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68
- dhe 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
Vëllezërit Hoxhosmani nga Burreli rezultojnë se kanë disa biznese nga Tirana në Durrës, në emrin e tyre dhe të afërmve. Klevis Hoxhosmani, i përfolur për lidhjen me vajzën e ish-ministres demokrate Majlinda Bregu, Kejda Ajazi, rezulton të ketë qenë më herët i përfshirë në disa biznese në Angli, përfshirë:
- lavazhin Crystal Hand Carëash Of Bournemouth Limited
- dhe kompaninë Barrack Road Tyres Limited.
Në vitin 2023, ai themeloi edhe kompaninë Opa Coffee Limited, e cila ndërroi adresën në mars 2025. Në Britani nuk figuron me precedentë penalë të rëndë, por në vitin 2014 është dënuar për një incident dhune dhe dëmtim prone.
Këta ‘biznesmenë’ konsiderohen nga SPAK si pjesë e një organizate të sofistikuar kriminale e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës.
Sipas SPAK, rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilët janë identifikuar që të gjithë dhe janë nën hetim, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.