
Nga një bunker politik në burgun e Durrësit, Erion Veliaj përpiqet të shpëtojë veten me viktimizim emocional, ironi bajate dhe retorikë mashtruese. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, kreu i Bashkisë Tiranë, tashmë i akuzuar nga SPAK për disa vepra të rënda penale, nuk u jep asnjë përgjigje konkrete provave që prokuroria pretendon të ketë në dorë, por heq veten si të përndjekur politik.
Në vend që të përballet me drejtësinë, Veliaj zgjedh të përdorë një gjuhë patetike e konspirative, duke e krahasuar veten me viktimat e komunizmit, me mjekë të burgosur, dhe me të gjithë popullatën që jeton në mjerim – një përzierje e qëllimshme për të ndezur ndjenjat e opinionit publik dhe për të shmangur thelbin e akuzave.
Teza e tij se hetimi ndaj tij është “copy-paste” është një tentativë për ta banalizuar punën e prokurorëve, ndërkohë që ai vetë flet me detaje të përsëritura për projekte të kryera me paratë e taksapaguesve dhe asnjë fjalë për mënyrën se si janë dhënë tenderat apo përfitimet e klientelës së afërt me të.
Vetëvlerësimi absurd i Veliajt si i vetmi që ka kaluar një “vetting 21-vjeçar”, ndërsa ironizon hetuesit dhe përdor terma si “kolonoskopia e vitit 2025” është një tregues i qartë i krizës së thellë të imazhit që ai po përjeton, e që po mundohet ta menaxhojë përmes show-t politik edhe brenda burgut.
Kur përmend apartamentin 2+1 dhe e shndërron jetën e tij në një legjendë urbane për modestinë, Veliaj harron të përmendë mijëra eurot e shpenzuara në fushata PR, marrëdhëniet me kompani të dyshimta marketingu dhe kontratat e bujshme që kanë përfituar emra të afërt me pushtetin e tij.
Ai flet për birin e tij si simbol i dhimbjes, por shmang çdo reflektim për miliona eurot që janë zhdukur nga buxheti i Bashkisë, për fondet e abuzuara për nisma propagandistike, për ndërtimet pa leje e koncesionet e dyshimta.
Në vend që të kërkojë drejtësi, Veliaj synon të kthejë SPAK-un në armik të popullit, të relativizojë çdo akuzë duke e zhvendosur debatin në nivel emocional, e madje duke e shndërruar burgun në një platformë për luftë elektorale dhe manipulim publik.
Ai përmend 7 pyetje për SPAK-un, por asnjë nuk ka të bëjë me llogaridhënien për tenderat, për përgjimet që e implikojnë drejtpërdrejt, apo për shkeljet ligjore që janë tashmë në dosje. Sepse qëllimi i Veliajt nuk është transparenca, por rrëmbimi i narrativës para gjykimit.
Në një vend ku drejtësia për herë të parë po përpiqet të preki “të paprekshmit”, zërat si ai i Veliajt janë të fundit që duhet të dëgjohen pa kritikë. Ai kërkon të përdorë postin dhe retorikën e tij si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë. Por qytetarët e Tiranës nuk mund të harrojnë arrogancën e pushtetit të tij, betonizimin e qytetit, shkatërrimin e trashëgimisë dhe abuzimet e shpeshta me fondet publike.
Nuk mjafton një letër nga burgu për të fshirë një dekadë mëkate politike. Dhe drejtësia, nëse është e barabartë për të gjithë, duhet të flasë me fakte, jo me fjalë.