
Banka e Shqipërisë ka tërhequr mbi 500 milionë euro nga tregu deri në fillim të gushtit 2025, në kuadër të përpjekjeve për të ndikuar kursin e këmbimit të monedhës europiane ndaj lekut. Por pavarësisht kësaj ndërhyrjeje, euro ka vijuar rënien, duke arritur në nivelet më të ulëta historike të regjistruara ndonjëherë.
Rënia e qëndrueshme e euros
Sipas të dhënave zyrtare, në fund të janarit 2025 euro u tregtua me 100.06 lekë, por gjatë muajve në vijim monedha europiane ka shënuar një zhvlerësim të pandërprerë. Para sezonit veror, euro humbi 1.67 lekë në vlerë, ndërsa fluksi masiv i valutës nga turistët gjatë muajve të verës e thelloi edhe më shumë rënien.
Në përditësimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 97.22 lekë, duke regjistruar kështu rënien më të madhe historike. Vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2025, monedha europiane është zhvlerësuar me 2.84 lekë.
Shkaqet dhe parashikimet
Sasia e madhe e euros në qarkullim në Shqipëri vjen kryesisht nga turizmi, investimet e huaja, remitancat dhe paraja informale. Ekspertët e tregut valutor paralajmërojnë se, nëse prurjet valutore mbeten të larta dhe kërkesa për euro nuk rritet ndjeshëm, presioni mbi kursin e këmbimit do të vazhdojë, pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë.
Sipas tyre, ky fenomen kërkon masa më të gjera ekonomike për të balancuar tregun, pasi ndërhyrjet monetare afatshkurtra mund të mos jenë të mjaftueshme për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës europiane.