
Rrjeti SafeJournalists ka reaguar ashpër ndaj operacionit policor të zhvilluar në orët e para të 9 gushtit 2025, ku Policia e Shtetit bllokoi zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe penguar hyrjen e gazetarëve në ambientet e punës.
Një ndërhyrje e paprecedentë ndaj medias
Sipas deklaratës së rrjetit, veprime të tilla duhet të ndjekin procesin e rregullt ligjor, të bazohen në një mandat të qartë dhe të sigurojnë ndërhyrje minimale në punën e medias dhe të drejtën e publikut për informacion. Medias duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme për zhvendosje dhe sigurimin e ambienteve alternative, për të mos penguar vijimin e punës editoriale.
Pa njoftim paraprak dhe pa vendim gjykate publik
Rrjeti SafeJournalists thekson se, sipas Focus Media Group, nuk ka pasur njoftim paraprak, vendim gjykate të disponueshëm publikisht apo urdhër ligjor për ndërprerjen e punës dhe sinjalit të News24. Operacioni është kryer herët në mëngjes, në një kohë kur prezenca e stafit dhe vëmendja publike janë minimale. Deri në momentin e publikimit të deklaratës, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për bazën ligjore apo kohëzgjatjen e bllokimit.
Kërkesë për heqjen e menjëhershme të bllokadës
Organizata i bën thirrje autoriteteve shqiptare të rivendosin energjinë elektrike, të lejojnë hyrjen e gazetarëve në ambientet e tyre të punës dhe të japin publikisht shpjegimin ligjor për këtë veprim. SafeJournalists kërkon që çdo masë e ardhshme ndaj mediave të kryhet nën mbikëqyrje gjyqësore dhe me parimin e ndërhyrjes minimale në aktivitetin gazetaresk.
Solidaritet rajonal për lirinë e medias
Deklarata është firmosur nga shoqatat e gazetarëve në Kroaci, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si kërcënim serioz ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sipas SafeJournalists, çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga të gjitha institucionet dhe aktorët ndërkombëtarë.