
Kryeministri Edi Rama ka vazhduar ofensivën e tij politike kundër trupës gjyqësore, duke sulmuar publikisht një tjetër gjyqtar që, sipas tij, ka penguar prishjen e ndërtimeve pa leje. Këtë herë në shënjestër është vendosur gjyqtari Klarent Demiri, i cili mban detyrën pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Rama e akuzon se me vendimet e tij ka bllokuar procesin e çlirimit të hapësirave publike.
Rama e quan Demirin “mburojë të ndërtimeve pa leje”
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë u shpreh me tone ironike:
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj ‘toke të xanun’? Dhe nuk ka marrë një, por dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik.”
Sipas Ramës, aktet e këtij gjyqtari cenojnë jo vetëm programin e qeverisë për Shqipërinë 2030, por edhe vetë interesin qytetar për hapësira publike të lira nga abuzimet.
Kërcënimi i Ramës: “Nuk do tolerojmë më”
Kryeministri ka bërë të qartë se nuk do të pranojë më asnjë vendim gjyqësor që shërben sipas tij si mburojë për ndërtime të paligjshme. Ai paralajmëroi se rasti i Demirit do t’i përcillet institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit, ashtu siç ka bërë më parë me prokuroren Elda Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu.
“Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur, asnjë përfaqësues të pushtetit gjyqësor që keqpërdor pavarësinë për të cënuar interesin publik,” – deklaroi Rama.
KLGJ në gjumë, sistemi i kapur nga “qoftexhinjtë”
Por përballë këtyre sulmeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vazhdon të mbajë një qëndrim të heshtur. Institucioni që duhet të ishte garant i funksionimit të drejtësisë, ka preferuar të fshihet në zona komoditeti, ndërsa kryeministri vazhdon të shënjestrojë gjyqtarë e prokurorë me emër e mbiemër.
Heshtja e KLGJ-së dëshmon një paralizë të plotë institucionale, ku individë të vendosur në krye të drejtësisë janë shndërruar në qoftexhinj politikë që ruajnë karriget e tyre në vend që të mbrojnë integritetin e sistemit. Kjo “memecëri shurdhuese” vetëm sa forcon bindjen se drejtësia e re, për të cilën u shpenzuan vite dhe miliona euro, është kthyer në një dekor pa zë.
Rama e ka kthyer në zakon që të përdorë tribunën publike për të goditur gjyqtarët që nuk i shërbejnë axhendës së tij. Por, nëse KLGJ vazhdon të heshtë, sulmet e kryeministrit nuk janë më vetëm fjalë politike – ato kthehen në një tregues të qartë të kapjes së drejtësisë nga ekzekutivi. Dhe në këtë betejë, humbësi i vetëm është qytetari, që sheh se as pushteti politik dhe as ai gjyqësor nuk po e mbrojnë, por po përdorin drejtësinë si armë për interesa të ngushta.