
Ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Qafë-Mollë të Tiranës në janar të këtij viti, ku u vra me çekiç 81-vjeçari Xhemal Meta, tashmë ka marrë dritë të plotë. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, krimi u krye nga fqinji i viktimës, 64-vjeçari Isuf Hasa, i cili pranoi autorësinë dhe rrëfeu se motivi kishte qenë vjedhja e parave për të shlyer një mikrokredi.
Fillimisht i akuzuar për “vrasje me dashje”, ndaj Hasës u ngrit më pas akuza e “vjedhjes me pasojë vdekjen”, ndërsa Gjykata e Tiranës pranoi kalimin e çështjes për gjykim.
Dëshmia e autorit
Në rrëfimin e tij, Hasa tha se mëngjesin e 13 janarit, ndërsa ishte nisur për tek vajzat e tij në Tiranë e Vorë, ndaloi tek banesa e fqinjit Meta, ku u ul për të pirë një kafe. Jashtë banesës gjeti një çekiç, të cilin e fshehu nën xhup.
Pas 15 minutash bisedë, kur dolën jashtë, ai e qëlloi viktimën nga pas në kokë, duke e rrëzuar përtokë. Pas pak minutash pritjeje, i mori portofolin dhe u largua. Më pas shkoi në lokalin e fshatit, ku piu një kafe dhe një dopjo raki, përpara se të merrte furgonin për në Tiranë.
“E ndërmora këtë veprim sepse shpesh herë Xhemal Meta më ofendonte, më thoshte se nuk isha burrë pasi mungoja nga shtëpia dhe se nuk dija çfarë bënte gruaja ime,” – ka dëshmuar Hasa para hetuesve.
Pas krimit
Policia zbuloi se arma e krimit ishte fshehur pranë banesës së njërës prej vajzave të Hasës. Po aty u gjetën edhe shuma parash, rreth 68 mijë lekë tek njëra dhe 120 mijë lekë tek tjetra, të cilat ai u kishte lënë vajzave pas krimit.
Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se 81-vjeçari kishte pësuar plagë të shumta në kokë nga sende të forta, plagë që rezultuan fatale. Viktima u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij, në datën 13 janar.
Një krim për borxhe dhe hakmarrje
Hetimet zbuluan se përveç motivit financiar, krimi kishte në thelb edhe një element hakmarrjeje personale, pasi Meta shpesh e kishte ofenduar autorin edhe në prani të familjes. Për këtë arsye, 64-vjeçari kishte ushqyer urrejtje të vazhdueshme që shpërtheu në tragjedi.