Berisha Sulmon Ramën Për Medaljet: “Tallje Me Zjarrfikësit, Duan Mjete Jo Dekorata”

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër pas ceremonisë së organizuar nga kryeministri Edi Rama, ku u dekoruan me medalje ari, argjendi dhe bronzi punonjës të Shërbimit Zjarrfikës dhe ekipeve të Emergjencave për kontributin e tyre gjatë përballjes me zjarret e verës.

Berisha e quajti këtë një “tallje” ndaj forcave që, sipas tij, sakrifikojnë jetën çdo ditë, por mbeten pa mjetet e nevojshme për t’u përballur me flakët.

“Ramaduro u ka shpërndarë sot punonjësve të Zjarrfikësve medalje ari, argjendi apo bronzi, a thua se mbrojtja e vendit është sport. Kur ata dalin me degë pishash dhe lopata për të fikur zjarret, e më pas u dorëzon medalje ari, kjo është tallje, jo nderim. Për të çuar deri në fund komedinë, mund t’u kishte dhënë ‘Lopata Ari’,” tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria ka pësuar dëme disa herë më të mëdha se vendet e tjera të rajonit për shkak të mungesës së infrastrukturës zjarrfikëse. Ai argumentoi se fondet e shpërdoruara nga qeveria do të kishin mjaftuar për të blerë 10 avionë, 5 helikopterë dhe 150 mjete zjarrfikëse.

Partia Demokratike publikoi edhe një listë me shpenzimet që i atribuon qeverisë Rama, të cilat sipas saj janë bërë në projekte klienteliste dhe jo në mbështetje të emergjencave:

  • 24 milionë euro për bankën private të Edi Ramës
  • 130 milionë euro për aferën e inceneratorit në Tiranë
  • 50 milionë euro për tunelin e Llogarasë
  • 4 milionë euro për oborrin e Kryeministrisë
  • 7 milionë euro për organizimin e “Giro d’Italia”

Berisha e quajti ceremoninë e Ramës një përpjekje për të fshehur përgjegjësinë shtetërore për djegien e mbi 60 mijë hektarëve pyje, kullota dhe pasuri natyrore, duke e cilësuar si një “krim shtetëror”.

“Drejtësia vonon, por nuk harron. Të gjithë përgjegjësit për dëmet e mëdha të zjarreve të këtij viti do të mbajnë përgjegjësi,” përfundoi kreu i PD.


Artikulli i mëparshëmRama Premton Flotë Avionesh Për Zjarret: “Magjia Është Sakrifica Në Tokë”
Artikulli i radhësNetanyahu Paralajmëron Europën Dhe SHBA-në: “Irani Po Përgatit Raketë Balistike Me Rreze Ndërkontinentale”