Rama Sulmon Gjyqtarët Dhe Prokurorët: “Vendime Në Favor Të Zjarrvënësve Dhe Gllabëruesve”

0

Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë së nderimit të zjarrfikësve që luftuan flakët në ditët e fundit, shfrytëzoi rastin për të lëshuar kritika të ashpra ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas tij kanë marrë vendime kundër interesit publik.

Akuza për vendime të “ububushme”

Rama theksoi se, ndërsa mijëra zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të shtetit sakrifikonin deri në vetëmohim për të shpëtuar mijëra hektarë pyje nga flakët, një numër i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh, “me integritet zero”, i kanë përqeshur këto sakrifica duke marrë vendime në favor të zjarrvënësve dhe abuzuesve të pasurive publike.

“Disa persona që nuk u dihen emrat me integritet zero i shkelin me katër këmbë interesat publike duke dhënë vendime të ‘ububushme’ në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’ia përcjellë gjyqësorit rastet e mësipërme”, deklaroi ai.

Paralajmërime për drejtësinë

Kreu i qeverisë bëri të qartë se nuk do të tolerohen vendime që, sipas tij, minojnë shtetin. Ai paralajmëroi pasoja dhe masa për të gjithë ata që do të “sulmojnë interesin publik” me vendime në favor të zjarrvënësve, zaptuesve apo gllabëruesve të pasurive të vendit.

“Nuk do të lëmë asnjë gur të pa lëvizur në shtratin ligjor të republikës për të vënë përpara përgjegjësisë çdo prokuror apo gjykatës që sulmon shtetin. Do të mbështesim çdo magjistrat që i shërben misionit të Shqipërisë 2030, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në mbrojtje të interesit publik”, tha Rama.

Mesazh për administratën shtetërore

Në fund, Rama vlerësoi punën e shumicës së punonjësve të shtetit, të cilët, sipas tij, nuk bëjnë lajm çdo ditë, por me punën e tyre të përditshme “ngrejnë vendin më lart”. Ai theksoi se shembulli i zjarrfikësve tregon se pjesa më e madhe e administratës publike është e përkushtuar dhe e ndershme, ndryshe nga “kokrrat e zeza” që, sipas tij, dëmtojnë shtetin.


Artikulli i mëparshëmBerisha Hedh Akuza të Rënda: Daniel Shima i Torturuar 4 Orë në Bodrumin e Suel Çelës në Elbasan
Artikulli i radhësRama Premton Flotë Avionesh Për Zjarret: “Magjia Është Sakrifica Në Tokë”