
Kriza në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e saj të 697-të, duke sjellë zhvillime të reja si në diplomaci ashtu edhe në terren. Zyra e presidentit izraelit njoftoi se Isaac Herzog do të udhëtojë të enjten drejt Vatikanit për një takim me Papa Leonin XIV. Vizita vjen në një moment kritik, kur tensionet mes Izraelit dhe Bashkimit Europian janë rritur pas vendimit të Belgjikës për të njohur shtetin palestinez në Kombet e Bashkuara.
Reagimet e ashpra politike
Ky vendim i Belgjikës u dënuar ashpër nga ministri izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i cili paralajmëroi se “vendet evropiane që i nënshtrohen manipulimeve të Hamasit do të përfundojnë duke përjetuar terror nga afër”. Ben-Gvir paraqiti edhe një plan për ndalimin e Flotiljes Globale Sumud, duke kërkuar që aktivistët e arrestuar të mbahen në paraburgim të zgjatur.
Kriza humanitare në Gaza
Ndërkohë, gjendja humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi raportoi se vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 13 persona nga uria dhe kequshqyerja, mes tyre edhe tre fëmijë. Këto shifra e bëjnë gjithnjë e më dramatike panoramën e konfliktit, duke rritur presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit.
Përplasjet me Europën
Në Europë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se situata në Gaza “nuk është gjenocid”, por shtoi se veprimet e Izraelit në muajt e fundit janë “të pajustifikueshme”. Ky qëndrim pasqyron tensionet e brendshme të BE-së për raportin me Izraelin dhe menaxhimin e krizës.
Dhuna në Bregun Perëndimor
Tensionet nuk janë të kufizuara vetëm në Gaza. Në Bregun Perëndimor, kolonë izraelitë kanë sulmuar vendbanime pranë Hebronit, duke i vënë flakën tokave të kultivuara. Këto ngjarje rrezikojnë të ndezin më tej konfliktin në terren dhe të kompllikojnë përpjekjet diplomatike që po zhvillohen paralelisht.