
Një tjetër episod i përgjakshëm që lidhet me konfliktet e trafikut të drogës ka tronditur Serbinë. Mbrëmjen e kaluar, një ultras i Partizanit të Beogradit, u vra me armë zjarri para një kafeneje në lagjen Detelinara, Novi Sad.
Viktima dhe ngjarja
Policia konfirmoi se viktima është 37-vjeçari Dejan Mirković, i cili mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në vend. Hetimet kanë identifikuar si autor të dyshuar shtetasin G. V., për të cilin është shpallur urdhër-arresti.
Ngjarja ndodhi në një zonë të populluar të qytetit, duke shkaktuar panik mes qytetarëve. Banorët lokalë raportuan se dëgjuan disa të shtëna arme para se Mirkoviq të binte i pajetë në trotuar.
Lidhja me rrjetet kriminale
Sipas mediave serbe, viktima kishte lidhje me grupet e dhunshme të tifozerisë, të cilat prej vitesh përfliten si pjesë e strukturave kriminale që kontrollojnë tregtinë e drogës në rajon. Konfliktet për territore dhe fitime nga trafiku i kokainës dhe marihuanës janë kthyer shpesh në përplasje me armë, ku ultrasit përdoren si “ushtarë” të këtyre grupeve.
Vijon hetimi
Policia serbe ka ngritur një plan të posaçëm kërkimi për autorin e arratisur dhe po heton pistat që lidhen me larjen e hesapeve mes grupeve rivale. Ngjarja është vetëm një ndër shumë episodet e dhunshme që kanë përfshirë tifozët ekstremë të futbollit serb, të cilët prej kohësh shihen si faktor destabilizues jo vetëm në stadiume, por edhe në botën e krimit.