
Kalimi në tunelin e Llogarasë do të ketë tashmë një tarifë prej 250 lekësh për autoveturat, që nis të aplikohet brenda këtij muaji.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se çmimi është përcaktuar pas një analize të detajuar të kostove operacionale. Ajo sqaroi se për kategori të tjera automjetesh do të ketë tarifa të posaçme.
Sipas saj, gjatë periudhës qershor–gusht, kur qarkullimi ishte falas, nga tuneli kanë kaluar 911.952 automjete, një shifër e konsiderueshme, por jo aq e lartë sa pritej krahasuar me tunelin e Murrizit, që mban rekordin për numrin e kalimeve këtë sezon.
“Çmimi prej 250 lekësh me TVSH është vendosur mbi bazën e një analize të gjerë. Prisja që Llogaraja të ishte kurora e infrastrukturës shqiptare, por shifrat më të larta i përkasin tunelit të Murrizit”, u shpreh Balluku në konferencën “Shqipëria Turistike 2030”.
Ajo shtoi se janë identifikuar segmentet më problematike për trafik, ndër të cilët më kritik mbetet rruga që lidh Tiranën me Elbasanin. Për këtë arsye, është planifikuar ndërtimi i një bypass-i të ri 3 km, i cili do të lehtësojë trafikun në zonën nga Bradasheshi në Lekaj. Projekti pritet të nisë me emergjencë dhe të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, ministrja përmendi se kantierët kryesorë të infrastrukturës janë në skedulë dhe disa segmente do të dorëzohen përpara afateve kontraktuale, përfshirë rrugën Berat–Bllaban dhe pjesë të autostradës Tiranë–Durrës.
Ky zhvillim sjell për herë të parë pagesën për përdorimin e tunelit të Llogarasë, një infrastrukturë strategjike që lidh jugun e vendit dhe është pjesë e rëndësishme e aksit turistik shqiptar.