
Kryeministri Edi Rama ka hedhur sot një propozim të fortë gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste: ndryshimin e Kushtetutës për të ulur numrin e deputetëve nga 140 në 101. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një “cikël të ri reformimi” në institucionet kryesore, ku Kuvendi është i pari në listë.
Ulja e numrit të deputetëve
Rama theksoi se pas dhjetë legjislaturave dhe 1136 personave që kanë qenë pjesë e Kuvendit, është e qartë se numri aktual i deputetëve është i tepruar.
“Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë se një aspekt. Ky ndryshim pozitiv përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë dhe të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që votuan në drejtim tjetër”, u shpreh ai.
Tre objektivat kryesorë të mandatit
Përveç propozimit kushtetues, Rama prezantoi edhe tre shtyllat e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme:
- Përfundimi i negociatave me BE deri në fund të vitit 2027;
- Ratifikimi i anëtarësimit të Shqipërisë në 27 vendet anëtare të BE-së;
- Ngritja e flamurit shqiptar në oborrin e Bashkimit Evropian si simbol i anëtarësimit të plotë.
“Misioni ynë kombëtar është bashkimi me Europën. Detyra jonë nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe më konkrete sesa sot,” deklaroi Rama, duke e lidhur këtë objektiv me vizionin e tij për Shqipërinë 2030.
Një reformë që hap debat
Propozimi për uljen e numrit të deputetëve pritet të hapë debat të madh politik, pasi kërkon ndryshime kushtetuese dhe mbështetje më të gjerë se thjesht mazhoranca. Megjithatë, Rama e cilësoi këtë si një hap të domosdoshëm për të modernizuar politikën shqiptare dhe për ta afruar atë më shumë me pritshmëritë e qytetarëve.