
Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer në akuza të forta ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, duke e denoncuar për neglizhencë dhe arrogancë përballë një emergjence mjedisore të denoncuar prej muajsh.
Mesazhi i Ristanit dhe reagimi i Braçes
Përmes një videoje në rrjetet sociale, Braçe publikoi një mesazh telefonik që i është dërguar nga Ristani, ku kjo e fundit i sugjeron t’i drejtohet një tjetër nënkryetari bashkie për çështjen që kishte ngritur. Braçe theksoi se nuk bëhej fjalë për një hall personal, por për një problem të rëndë mjedisor në Selitë, të denoncuar që prej muajit shkurt në zyrën e saj.
Sipas tij, pranë qendrës shëndetësore, postës dhe kopshtit janë vendosur koshat e plehrave që kanë kthyer zonën në një vatër ndotjeje, ku madje është gjetur edhe një qen i ngordhur. “Që nga shkurti ia kam përsëritur javë pas jave. Dhe çfarë merr në këmbim? Arrogancë dhe ironi”, u shpreh Braçe.
“Kjo është Anuela Ristani”
Deputeti socialist u shpreh se Ristani nuk i ka dhënë rëndësi denoncimeve të tij, duke nënvizuar se mosveprimi i saj po dëmton banorët e Selitës. Ai shtoi se nuk po bën opozitë për të fituar politikisht, por po ngre një problem real që prek komunitetin.
“Në vend që të reagojë, më çon tek një nënkryetar tjetër. Kjo është mënyra si funksionon administrata nën drejtimin e saj”, theksoi Braçe, duke shtuar se banorët e Selitës nuk meritojnë të trajtohen me arrogancë dhe injorim.
Përplasja politike brenda së majtës
Denoncimi i Braçes pritet të ngjallë debate edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste, pasi kritikat e tij nuk janë të parat ndaj drejtuesve vendorë të Tiranës. Episodi tregon për përçarje dhe tensione të brendshme në një moment kur PS përpiqet të ruajë imazhin e unitetit pas zhvillimeve të fundit politike.