I riu shqiptar gjendet i varur në Bruksel, autoritetet flasin për metoda të bandave meksikane

0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brukselin, ku një 29-vjeçar shqiptar u gjet i varur në një tabelë sinjalizuese ditën e diel. Prokuroria belge e ka cilësuar rastin si të dyshimtë dhe ka hapur një hetim të plotë, duke angazhuar Policinë Federale Gjyqësore, një mjek ligjor dhe hetues të specializuar.

Hetimi dhe skenari mafioz

Trupi u gjet pranë Westland Shopping, afër zonës së Peterbos, e njohur për aktivitetin e trafikut të drogës. Edhe pse lidhja mes viktimës dhe grupeve kriminale nuk është konfirmuar, policia nuk përjashton skenarin e një akti mafioz. Një burim për gazetën La Capitale theksoi se mënyra si u krye akti i ngjan metodave të bandave meksikane, të njohura për dhunë ekstreme dhe dërgimin e mesazheve makabre kundër rivalëve apo tradhtarëve.

Prania e mafieve ndërkombëtare

Në një intervistë për Het Laatste Nieuws, drejtori i Policisë Federale në Bruksel, Eric Jacobs, theksoi se në kryeqytetin belg janë aktive grupe të fuqishme kriminale si mafia e Marsejës dhe e ashtuquajtura Mocro-Mafia me origjinë nga Afrika Veriore. “Të gjithë përdorin të njëjtat metoda: kërcënime, vrasje,” u shpreh ai, duke nënvizuar se viktima mund të ketë qenë pjesë e kësaj bote dhe është përdorur si paralajmërim.

Paralajmërim për Brukselin

Raporti i Policisë Federale të Drejtësisë në gusht evidentoi se në nëntokën kriminale janë dokumentuar raste kërcënimesh, frikësimesh dhe torturash, të zbuluara përmes komunikimeve të koduara. Nëse ky rast lidhet me trafikun e drogës, Brukseli përballet me një eskalim të ri të dhunës, duke e vendosur qytetin në hartën e krimit ndërkombëtar brutal.


Artikulli i mëparshëmAsim Vokshi Zgjidhet Anëtar I Gjykatës Kushtetuese Pavarësisht Se Mori Më Pak Vota Se Llagami