Rama sqaron batutën për Trump: Një moment humori, jo helm politik

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhurmës së madhe që shkaktoi një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku ai shihej duke bërë një batutë në prani të presidentit francez Emmanuel Macron dhe atij të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, duke iu referuar një lapsusi të përsëritur të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ngatërroi Shqipërinë me Armeninë.

Reagimi i Ramës në rrjetet sociale

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Rama sqaroi se fjalia e tij nuk kishte asnjë prapavijë politike, por ishte thjesht një moment humori mes miqsh:

“Një fjali e thënë me humor të mirë, në frymën e miqësisë, papritmas shndërrohet në një kryelajm botëror, ndërsa substanca e vërtetë e samitit bëhet e parëndësishme. Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh atë në helm politik është e padrejtë.”

Ai theksoi se nuk ishte gjë tjetër veçse një “vërejtje e lehtë dhe një moment miqësor” mes tij, Aliyev dhe Macron, duke shtuar se nuk ka asgjë përtej asaj që u pa në video.

Vlerësimi për rolin e Presidentit Trump

Në të njëjtin reagim, Rama e vlerësoi Presidentin Donald Trump për rolin e tij në proceset e paqes:

“Presidenti Trump e ka rikthyer fjalën ‘paqe’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh dhe ka arritur të sjellë marrëveshje atje ku të tjerët dështuan. Ai vazhdon të punojë në këtë drejtim dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet.”

Samiti në Kopenhagen

Ngjarja ndodhi gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen, ku përveç diskutimeve zyrtare, vëmendjen e mori ky moment informal mes liderëve. Pavarësisht se u shndërrua në kryelajm ndërkombëtar, Rama këmbënguli se nuk ishte asgjë më shumë se një batutë miqësore, që nuk duhet të politizohet.


Artikulli i mëparshëm(EMRI) Tronditet Tirana: 40-vjeçari nga Tropoja theret me thikë dhe gjendet i pajetë në Babrru