U gjet i varur në Bruksel, kush ishte Bekim Halilaj? Historia e errët e shqiptarit të dënuar për trafik kokaine

0

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qendër të Brukselit, ku autoritetet belge gjetën të varur në një tabelë 28-vjeçarin shqiptar Bekim Halilaj. Trupi i tij u zbulua dy ditë më parë dhe çështja ka hapur një sërë pikëpyetjesh, pasi bëhet fjalë për një emër të njohur për drejtësinë britanike.

Halilaj ishte dënuar më herët në Mbretërinë e Bashkuar për pjesëmarrje në një grup të organizuar që merrej me trafik kokaine. Në prill të vitit 2017, policia britanike kishte finalizuar një operacion në Southampton, ku u kap një sasi kokaine me vlerë mbi 4 milionë paund.

Operacioni në Britani

Policia ndaloi më 21 prill 2017 një furgon tip “Astra”, të modifikuar me ndarje të fshehta për transportin e drogës dhe parave. Brenda tij u gjet kokainë me vlerë 140 mijë paund, si dhe 30 mijë paund para të gatshme. Dy anëtarët e parë të bandës, Tamas Hela dhe Fitim Halilaj, u arrestuan menjëherë.

Bastisjet vijuan në një apartament në Carrington House, Westwood Road, ku policia arrestoi Bekim Halilajn dhe gjeti drogë shtesë me vlerë 10 mijë paund. Në një tjetër goditje, në rrugën Ted Bates, u arrestua edhe Nuri Mucmataj.

Hetimet zbuluan se banda sillte kokainën nga Essex dhe e shpërndante në rrugët e Southampton. Sipas gjykatësit Robin Rowland, droga ishte e një cilësie tepër të lartë, me pastërti deri në 91%, ndërsa baza e përgatitjes ishte pikërisht banesa në Carrington House.

Policia britanike saktësoi se të gjithë anëtarët e grupit ndodheshin ilegalisht në vend, duke përdorur identitete të rreme për të fshehur aktivitetin kriminal.

Dënimet e grupit

  • Nuri Mucmataj, 26 vjeç – 8 vjet e 6 muaj burg
  • Bekim Halilaj, 21 vjeç – 7 vjet burg
  • Fitim Halilaj, 27 vjeç – 4 vjet e 6 muaj burg
  • Tamas Hela, 24 vjeç – 4 vjet e 6 muaj burg

Pas vuajtjes së dënimit, Bekim Halilaj rezulton të jetë zhvendosur në Belgjikë, ku fati i tij u vulos në rrethana ende të paqarta.

Misteri i Brukselit

Ende nuk dihet nëse vetëvarja e tij ishte akt i dëshpërimit personal apo një ekzekutim mafioz i maskuar. Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbardhur të vërtetën mbi ngjarjen, ndërkohë që e kaluara kriminale e Halilajt ngre dyshime mbi shkaqet reale të vdekjes së tij.

Ngjarja ka ngjallur jehonë jo vetëm në Belgjikë, por edhe në Shqipëri e Mbretërinë e Bashkuar, duke rikthyer në vëmendje rolin e bandave shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e tyre në Evropë.


Artikulli i mëparshëm(EMRAT) Zbulohet Hoteli i Prostitucionit në Tiranë, Goditet Rrjeti Ndërkombëtar Kriminal
Artikulli i radhësAjola Xoxa paraqitet në SPAK, zbatohet masa “detyrim paraqitje” për bashkëshorten e Erion Veliajt