
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka ngritur alarmin për një krizë institucionale të pashmangshme në vitin 2028, kur përfundon mandati 9-vjeçar i 11 prokurorëve të posaçëm.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, Dumani theksoi se pas përfundimit të mandatit të parë të trupës së prokurorëve të SPAK-ut, do të krijohet një vakum i madh funksional, pasi është e pamundur të zëvendësohen brenda një kohe të shkurtër specialistë me përvojë në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në vitin 2028, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm iu mbaron mandati brenda një viti. Vakumi që krijohet në atë institucion është shumë i madh. Ata kanë çështje që i ndjekin me vite. Cënohen hetimet në këtë drejtim,” – u shpreh Dumani.
Ai theksoi se nuk do të rikandidojë pas përfundimit të mandatit të tij, duke theksuar se një vendim i tillë është marrë që në momentin e aplikimit për postin e prokurorit të posaçëm.
“Ju siguroj që në përfundim të mandatit 9-vjeçar nuk do rikandidoj. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë për t’u rritur profesionalisht dhe për të krijuar imunitetin e nevojshëm karshi politikës, biznesit e krimit të organizuar,” – shtoi ai.
Sipas Dumanit, nuk është kërkuar rinovim automatik i mandateve, por një e drejtë për rikandidim, duke i dhënë mundësinë secilit prokuror të rivlerësohet pas përfundimit të mandatit të tij. Ai paralajmëroi se nëse ky vakum nuk trajtohet me kujdes, SPAK mund të përballet me një kolaps të plotë operacional në vitet e ardhshme.