
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë Rama për atë që e quan një “kryevepër të korrupsionit me tre akte”, që lidhet me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Sipas tij, pas gjithë kësaj afere që ka nisur vite më parë, qëndrojnë kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Akti i parë: Gara fiktive për koncesionin
Shehaj shpjegon se që në fillim procesi i përzgjedhjes së fituesit për koncesionin e aeroportit ishte i manipuluar. Në garë morën pjesë kompania turke YDA Group, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, të cilët ofruan 108 milionë euro, ndërsa një kompani angleze kishte dhënë ofertë 80 milionë euro për ndërtimin e aeroportit.
Pavarësisht ofertës më të ulët, kompania angleze u skualifikua, duke i hapur rrugë Pacollit dhe ortakëve të tij. Shehaj thekson se ky ishte akti i parë korruptiv, që më pas u bë objekt hetimi nga SPAK pas ankesës së kompanisë angleze.
“Edi Rama dhe Balluku larguan nga gara kompaninë angleze dhe shpallën fitues Pacollin me ortakët e tij”, deklaron Shehaj.
Akti i dytë: Shitja fiktive e 40% të kuotave
Sipas tij, akti i dytë korruptiv ndodhi kur kompania turke që kishte certifikimin për ndërtimin e aeroportit, shiti 40% të kuotave te Behgjet Pacolli për vetëm 4 mijë euro, me miratimin zyrtar të ministres Balluku.
Pas kësaj marrëveshjeje, Pacolli zotëronte 98% të kuotave, ndërsa Valon Ademi 2%, duke e përjashtuar de facto kompaninë turke nga projekti.
“Pas shitjes së fiktive, e miratuar nga Balluku, Pacolli kontrollon 98% të kuotave – ky është akti i dytë”, tha Shehaj.
Akti i tretë: Marrja e shumicës së aksioneve
Në fazën e tretë, sipas kreut të Mundësia, ortaku i Pacollit, Valon Ademi, i mbështetur nga Rama dhe Balluku, ka kërkuar në gjykatë konvertimin e një pretendimi financiar prej 15 milionë euro në aksione të kompanisë koncesionare, duke synuar marrjen e shumicës së aksioneve të aeroportit të Vlorës.
Sipas Shehajt, kjo është faza aktuale e aferës — largimi i Pacollit dhe marrja nën kontroll e projektit nga grupi i lidhur me qeverinë.
“Ademi me Ramën dhe Ballukun nuk duan më 49%, por shumicën e aksioneve. Kjo është ajo që po ndodh sot”, u shpreh Shehaj.
Thirrja për ndërhyrjen e SPAK
Në përfundim të deklaratës së tij, Agron Shehaj kërkoi që Prokuroria e Posaçme SPAK të ndërhyjë menjëherë dhe të nxjerrë përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit që kanë abuzuar me këtë projekt strategjik të infrastrukturës kombëtare.
“Presim që SPAK të bëjë detyrën dhe të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me këtë aferë korruptive”, deklaroi ai.