
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në provincën Kocaeli, në veriperëndim të Turqisë, ku një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur mëngjesin e sotëm, duke zënë nën rrënoja disa persona.
Sipas mediave turke, të paktën pesë persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë pa ndërprerje për të shpëtuar të mbijetuarit.
Guvernatori i Kocaelit, İlhami Aktaş, deklaroi se shkaku i shembjes ende nuk është përcaktuar, por theksoi se prioritet mbetet shpëtimi i personave të bllokuar.
“Pesë anëtarë të një familjeje ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e incidentit,” – tha guvernatori Aktaş.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi se në operacionin e shpëtimit janë angazhuar 147 punonjës, përfshirë 80 efektivë policie dhe zjarrfikës, si dhe ekipe të shumta nga organizatata joqeveritare dhe bashkitë lokale.
Në terren po përdoren tetë pajisje zbulimi, dy dronë dhe 52 automjete speciale për kërkime intensive, ndërsa autoritetet po përpiqen të shmangin çdo vonesë për shkak të mundësisë së rrëshqitjeve të tjera.
Sipas hetimeve paraprake, shembja mund të jetë shkaktuar nga punime nëntokësore që po kryheshin pranë godinës. Ekspertët po verifikojnë nëse strukturat mbajtëse janë dëmtuar nga vibrimet e punimeve ndërtimore ose nga lagështia e tokës pas reshjeve të fundit.
Autoritetet turke kanë nisur një hetim penal për të përcaktuar përgjegjësit, ndërsa prokuroria e Kocaelit ka ndaluar përkohësisht kompaninë që po kryente punimet pranë ndërtesës.
Ngjarja ka shkaktuar shok në opinionin publik turk, duke rikthyer debatin mbi cilësinë e ndërtimit dhe sigurinë strukturore në zonat urbane të dendura, sidomos pas tërmeteve të fundit që kanë tronditur vendin.
