
Në studion e “Quo Vadis”, ndërsa qytetarët ende përtypnin lajmin për atentatin mafioz në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, deputeti socialist Ardit Bido vendosi të na qetësojë: Shqipëria është “vend i sigurt”.
Jo, nuk është shaka – sipas Bidos, fakti që ndodhin vrasje mafioze në pika kyçe të kryeqytetit nuk përbën ndonjë problem serioz. Sepse, siç tha ai me tonin e një sociologu të improvizuar:
“Vrasje ndodhin kudo, edhe në Amerikë.”
Në vend që të ndalonte një moment për të reflektuar mbi faktin se njerëzit po vriten me breshëri kallashnikovi pranë aeroportit ndërkombëtar të vendit, deputeti socialist zgjodhi të kujtojë se edhe në SHBA ndodhin krime. Me këtë llogjikë, ndoshta edhe Sicilia e viteve ’80 ishte një destinacion i sigurt – thjesht sepse ndodhej në Itali.
Moderatorja Pranvera Borakaj tentoi ta kthente bisedën në tokë duke pyetur: “Si mund të jemi vend i sigurt, kur në mes të ditës ndodhin atentate?”
Por Bido, i bindur në retorikën e partisë, vijoi:
“Nga ana tjetër janë edhe mediat që bëjnë pompim.”
Me pak fjalë, problemi nuk është që po vriten njerëz në mes të Tiranës. Problemi është që mediat po e tregojnë.
“Edhe Ti Mund Të Dalësh E Të Shkosh Ku Të Duash…”
Në një nga momentet më “filozofike” të debatit, Bido deklaroi se qytetarët nuk duhet të ndihen të rrezikuar.
“Edhe ti vetë mund të dalësh e të shkosh ku të duash dhe nuk rrezikon,” – tha ai me bindje.
Në sfond, qytetarët që kishin dëgjuar breshëritë e armëve në Rinas mund të kenë ngritur vetullat me habi, ndërsa gazetarët e terrenit ende po numëronin gëzhojat.
Ironia E Një Sigurie Imagjinare
Në realitet, fjalët e Bidos janë një shenjë alarmante e shkëputjes totale të politikës nga përditshmëria. Përballë krimit të organizuar, që tashmë lëviz me ritme të frikshme në Shqipëri, përfaqësuesit e pushtetit zgjedhin të japin leksione krahasuese me Amerikën, sikur të jetonim në të njëjtin kontinent, sistem, apo kulturë të drejtësisë.
Në fund të ditës, deklarata e Bidos nuk e mbulon dot faktin se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku normalizohet frika, dhe atentatet mafioze komentohen me ton qetësues, si statistika meteorologjike.
Shqipëria, sipas Bidos, qenka e sigurt – për aq kohë sa vrasjet ndodhin “si kudo tjetër”. Vetëm se “kudo tjetër” nuk ndodhin çdo javë.
