
Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Gjirokastrës, duke dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe atë të furnizimit me ujë.
Rruga që lidh Zagorinë me Poliçanin, në segmentin Sheper–Poliçan, rrezikon të bllokohet për shkak të rrëshqitjeve të shumta të dheut. Ndërkohë, rruga Suhë–Poliçan është bllokuar plotësisht, duke ndërprerë qarkullimin e mjeteve dhe duke izoluar lëvizjen drejt disa zonave rurale.
Përveç dëmeve në rrugë, situata është rënduar edhe më tej nga prishja e ujësjellësit, çka ka lënë disa fshatra pa furnizim me ujë të pijshëm. Ekipet e ndërhyrjes janë në terren për të vlerësuar gjendjen dhe për të nisur riparimet, ndërsa rreziku i rrëshqitjeve vijon të mbetet i lartë për shkak të lagështisë së shtuar në tokë.
Banorët janë paralajmëruar të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat problematike deri në stabilizimin e motit dhe zhbllokimin e akseve kryesore.
